Departamenti i Sociologjisë, Psikologjisë & Edukimit organizoi në kuadrin e festës së 7 Marsit forumin: "Shkollat & mësuesit e rinj: Përvoja dhe sfida".
Prof. Michael Totterdell dhe Dr. Lekë Sokoli prezantuan dy çështje të rëndësishme për arsimin e mesëm dhe të lartë në Shqipëri.
Prof. Michael Totterdell, Prorektor për Kërkimin dhe Studimet Pasuniversitare në Universitetin Barleti, prezantoi temën me titull: "Përgjegjësia dhe llogaridhënia: drejtuesit "mashtrues" të shkollës dhe promovimi i mësuesve të rinj në Angli". Në këtë punim u paraqit roli dhe promovimi i mësuesve të rinj në Angli dhe sa i rëndësishëm është motivimi për ta.
Dr. Lekë Sokoli, Prorektor i Çështjeve Studentore në Universitetin Barleti, prezantoi temën me titull: "Arsimi dhe mësuesia në perceptimin e qytetarëve dhe të maturantëve shqiptarë". Ky punim është bazuar në dy sondazhe kombëtare. I pari është realizuar me 1364 të anketuar në 11 qarqe të Shqipërisë, mbi problemet sociale dhe ndikimin e arsimit; i dyti është realizuar me 2700 maturantë nga 38 shkolla të mesme të Tiranës dhe nëntë rretheve të tjera, si Durrësi, Vlora, Fieri, Berati etj. Nga 38 shkollat e përfshira në sondazh, 16 prej tyre ishin shkolla të mesme jopublike.
Ky referim është leksioni i dytë i hapur në kuadrin e kërkimit shkencor, organizuar nga Departamenti i Sociologjisë, Psikologjisë dhe Edukimit, i cili zhvillon çdo muaj, sipas një kalendari të përcaktuar, një leksion të hapur në ambientet e Universitetit Barleti.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin mësues të shkollave të mesme të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lushnjës dhe rretheve të tjera, si dhe pedagogë e studentë të UB-së.
Në fund të dy prezantimeve pati debat dhe pyetje nga pjesëmarrësit lidhur me nivelin e shkollave të mesme në Shqipëri, aftësitë pedagogjike të mësuesve të ciklit të ulët dhe parauniversitar, nivelin arsimor të maturantëve, rëndësinë e shkollave të mesme dhe të larta profesionale dhe arsimin brenda apo jashtë vendit.
Pjesëmarrësit shfaqën interes për çështjet e diskutuara dhe falënderuan organizatorët dhe dy profesorët.
