Ditën e mërkurë, datë 29 shkurt, ora 16:30 – 18:30, në shkollën jopublike Internacional, Vlorë, u organizua një leksion i hapur për studentët e Universiteti Barleti dhe masterit profesional "Mësimdhënia dhe të nxënit" në qytetin e Vlorës. Të ftuar ishin edhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të qytetit të Vlorës, drejtues e mësues të Shkollës Internacional, drejtues e mësues të shkollave të qytetit të Vlorës dhe të zonave të tjera përreth.
Prof. Michael Totterdell, Prorektor për Kërkimin dhe Studimet Pasuniversitare në Universitetin Barleti, në leksionin me temë: "New horizons for teaching and learning", foli rreth tendencave më të reja në fushën e edukimit.
Z. Brad Hornback, doktorant në Universitetin e Clemsonit në Karolinën e Jugut, SHBA, foli rreth studimeve doktorale "Studime ndërkombëtare për familjen dhe komunitetin", të cilat ofrohen nga Universiteti Clemson dhe pritet të ofrohen për studentët shqiptarë dhe nga Ballkani së shpejti në ambientet e Universitetit Barleti.
Profesor Totterdell ndau me pjesëmarrësit kontributet kërkimore nga studimet më të fundit në fushën e mësimdhënies dhe eksperiencën e tij prej disa dekadash në fushën e edukimit në vende të ndryshme të botës, si në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Hong Kong, Sri Lanka dhe një sërë vendesh të Bashkimit Evropian. Ai u ndal veçanërisht në shtjellimin e procesit të edukimit si një proces që zgjat gjatë gjithë jetës nga bashkëveprimi i të gjithë institucioneve të shoqërisë dhe komunitetit, në mënyrë të veçantë nga shkolla si institucion. Ai theksoi rëndësinë që ka mësuesi në cilësinë e edukimit të brezit të ri, duke e përkufizuar atë si aktorin kyç më të rëndësishëm që ka në duart e tij jo vetëm moralin e një profesioni fisnik, por edhe përgjegjësinë e edukimit të gjeneratave të reja.
Z. Brad Hornback e përqendroi diskutimin e tij në rëndësinë që ka shkolla si institucion në zhvillimin e komuniteteve. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë që ka ky program doktoral në Shqipëri dhe Ballkan jo vetëm për këndvështrimin multidisiplinar dhe njëkohësisht ndërkombëtar që sjell, por edhe për trajnimin e kërkuesve shkencorë në fushën e familjes dhe komunitetit në Shqipëri dhe rajon.
Leksioni u zhvillua në bibliotekën e Shkollës Internacional, një konstruksion modern dhe bashkëkohor që ilustronte më së miri vizionin e ardhshëm të edukimit.
Pjesëmarrësit shfaqën interes për çështjen në fjalë dhe falënderuan organizatorët dhe dy profesorët. Per te interesuarit, nje kopje e prezantimit te Prof. Totterdell, ju lutem klikoni ketu
