Më 11 shkurt 2011, në Universitetin "Barleti" u zhvillua ceremonia e rradhës e diplomimit të studentëve. Veprimtaria u organizua në mjediset e kampusit qendror të UB-së, me pjesëmarrjen e stafit akademik, anëtarëve të Senatit, miqve dhe të afërmëve të studentëve të diplomuar. Drejtorja e Studimeve me kohë të pjesëshme, Dr. Zamira Çavo hapi ceremoninë, duke i uruar përzëmërsisht diplomantët për arritjet e tyre. Ajo me ngrohtësi u kujtoi vajzave e djemve që sapo përfunduan ciklin e studimeve, ditët e para të fillimit të rrugëtimit të tyre akademik në Universitetin Barleti duke e krahasuar me pikëmbërritjen. Sot theksoi ajo "..falë këtij procesi që e zhvilluam së bashku, ju jeni këtu, në këtë moment të rëndësishëm e të paharruar të jetës tuaj si një nga grupet studentore më të mira, të dalluar për përkushtimin, seriozitetin dhe nivelin cilësor të përgatitjes".
Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Marenglen Spiro, duke i përgëzuar studentët, theksoi se arritja e tyre tashmë është shndërruar në vlerë edhe për institucionin, se kjo i bënte të gjithë ata pjesë të krenarisë profesionale dhe njerëzore të UB. Ai e përfundoi fjalën e tij me urimet më të sinqerta për të ardhmen e tyre profesionale.
Më pas vijuan shpërndarja e diplomave dhe përshëndetjet e të porsadiplomuarve. Në emër të studentëve të ciklit të parë të studimeve, përshëndeti tashmë ish studentja zonjusha Adeila Makashi dhe si përfaqësues i studentëve që kryen me sukses ciklin e dytë të studimeve, zoti Andi Bidollari.
Të ftuar nga Rektori të porsadiplomuarit në mes të entuziasmit dhe gëzimit hodhën lart kapelat, një traditë e bukur kjo tashmë edhe për shkollën tonë.
Trokitja e gotave që përmbylli ceremoninë u shoqërua me urimin :
Suksese në rrugën e gjatë të jetës, në çdo përpjekje dhe iniciativë të ardhshme, të gjithë të diplomuarve nga Universiteti ynë!
