Në 02 Shkurt 2012, drejtoresha e politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Dr. Arjana Dyrmishi, vizitoi kampusin I të Universitetit Barleti, për një leksion të hapur me studentët mbi "Rolin e Politikave Fiskale në biznesin Shqiptar"
Sipas Dr. Dyrmishi, politikat fiskale janë përmirësuar gjithnjë e me tepër duke e krahasuar me vitet e kaluara. Dr. Dyrmishi shpjegoi që sistemi i taksave në Republikën e Shqipërise është i përbërë nga një paketë ligjesh, direktivash, rregullimesh, marrëveshjesh tatimore me vendet e tjera, të cilat shfaqin një shqyrtim të plotë të të gjitha llojeve, llogaritjeve, niveleve, procedurave, si dhe metodat dhe format e kontrollit tatimor për taksat e përfshira në sistemin e taksave Shqiptare. Dr.Dyrmishi vijoi diskutimin e saj, duke sqaruar tatimin mbi fitimin, tatimin mbi vlerën e shtuar, ndalja e tatimit, bazën e tatueshme, shpenzimet e zbritshme dhe tatimin mbi të ardhurat personale.
Një pyetje nga studentja e vitit II, Financë - Kontabilitet, Anisa Goga, nëse ishte e lehtë hapja e një biznesi në Shqipëri, ajo ju përgjigj: "Të hapesh biznes në Shqipëri duhet vetem një dite, për ta mbyllur atë është shumë e vështire". Pyetjes nga studentja e vitit te II, Financë-Kontabilitet, Ada Shehu, në lidhje me stimulimin dhe financimin e ideve inovatore për biznesin, Dr. Dyrmishi ju përgjigj se "Tatimi i ulet nga njëra anë dhe grantet për financim të ideve inovatore që janë marrë nga Ministria e Financave, do të japin efektin e tyre së shpejti". Pedagoge, Elora Kokalari i drejtoi Dr.Dyrmishit pyetjen mbi zhvillimin e fundit të vetëdeklarimit të të ardhurave personale të individëve. Dr. Dyrmishi sqaroi se hapat fillestare për implementimin e deklarimit të të ardhurave janë marre dhe ky vit do te jetë i pari në të cilin, drejtoria e përgjithshme e tatimeve do të presë deklaratat e përafërsisht 100 mijë individëve për shqyrtim. Studenti i vitit të III, për Financë-Kontabilitet, Renald Petriti, i drejtoi pyetje mbi integrimin e politikave fiskale mbi ato monetare. Meqenëse pyetja ishte me karakter makroekonomi, Dr. Dyrmishi e pa të nevojshme dhe propozoi një takim të dytë me drejtorin e politikave makroekonomike në Ministrin e Financave.
Dr. Dyrmishi më pas theksoi se politikat e punësimit të shtetit duhet të vazhdojnë të përfshijnë masa për inkurajimin e punesimit. Diskutimi u mbyll me keshillën që ti kushtojnë rëndësi viteve studentore sepse janë bazat për nje karrierë të sukseshme për të ardhmen.
Barletasit ishin të përqëndruar gjatë diskutimit, duke treguar që tema e përzgjedhur përbënte interes për ta, dhe këtë e treguan nëpërmjet pyetjeve të shumta që ata deshironin ti jepnin një përgjigje. Kjo e bëri diskutimin më të këndshëm për të dyja palët.
