Më datë 20 dhjetor Universiteti Barleti dhe Instituti Shqiptar për Çështjet Publike zhvilloi Tryezën e Rrumbullakët me temë "Sfidat e profesionit kontabël dhe roli i tij ne përmirësimin e raportimit financiar në Shqipëri". Në këtë aktivitet morën pjesë ekspertë dhe njëkohësisht përfaqëesues të institucioneve të ndryshme publike si dhe drejtues të organizmave dhe organizatave profesionale. Organizimi dhe drejtimi i debatit u nxit nga prezantimet e profesionistëve të fushës si: Prof. Dr. Jorgji Bollano, aktualisht Dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Financës në Universitetin "Barleti" dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Prof. Dr. Flutura Kalemi - anëtare e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Prof.Asc. Lindita Lati - Kryetare e Autoritetit të Konkurencës, Prof. Asc. Hysen Cela - Drejtor Ekzekutiv i IEKA-s, Dr. Diana Lamani pedagoge në Fakultetin Ekonomik të UT si dhe anëtare e Komitetit të Edukimit të IEKA-s.Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, fiskalistë, pedagogë si dhe studentë të UB- së. Tryeza trajtoi çështje sa aktuale aq edhe domethënëse për profesionin kontabël.
Në prezantimet e tyre folësit evidentuan nevojën e përmirësimit të teksteve bazë që përdorin studentët si një nga elementet bazë për edukimin e tyre profesional, i cili gjithashtu nuk duhet të konsiderohet si një proces që përfundon me mbarimin e studimeve, por që fillon së bashku me to e duhet të vijojë gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit. Edukimi është i lidhur gjithashtu edhe me krijimin e standarteve në ushtrimin e profesionit. Mësimet e nxjerra nga kriza në raport me standartet e hartimit dhe raportimit financiar, eksperiencat negative të evidentuara nga praktika botërore, shtrojnë nevojën e përmiresimit të kontrollit të zabtimit të tyre në praktikën kontabël nga të gjitha strukturat të cilat kanë këtë përgjegjësi, nënvizuan folësit. Duke u nisur nga analiza të realitetit në vendin tonë, mbi bazën e eksperiencave konkrete ata evidentuan problematika që lidhen me mos zbatimin e legjislacionit dhe konkretisht faktin që ka shumë shoqëri që megjithëse duhet të zbatojnë Standartet Ndërkombëtare në mbajtjen e kontabilitetit dhe përgatitjen e raporteve financiare, vijojnë të mos i zbatojnë ato, ka shumë profesionistë të fushës të cilët bëhen pjesë e këtij procesi, ashtu si dhe shpesh herë me punën e tyre të përditshme nuk tregojnë kujdesin e duhur profesional dhe etik. Forcimin e rolit të profesionistëve si një faktor i rëndësishëm për të garantuar zbatimin e ligjit, kufizimin e informalitetit, konkurencën e ndershme, diskutantët e lidhën sa me përmirësimin e kurrikulave dhe programeve të studimeve aq edhe me forcimin e kushteve për hyrjen në profesion dhe mbikqyrjen në respektimin e standarteve profesionale ne hartimin e pasqyrave financiare dhe ne çertifikimin e tyre gjithashtu.
Gjatë diskutimeve u evidentua gjithashtu nevoja e hartimit të një fjalori të terminologjisë dhe përmbajtjes së nocioneve ekonomike, sepse shpesh herë për të njëjtin tregues përdoren emra të ndryshëm apo përdoren edhe emërtime të njëta kurse zbërthimi përmbajtësor është i ndryshëm.
Nga diskutantët u evidentua problemi i konfuzionit që krijohet nga formulimet apo trajtimet e ndryshme që kanë ligjet fiskale apo edhe ligje të tjera. U sollën shembuj të pa fund në lidhje me trajtimet që ka legjislacioni për TVSH, Akcizën, Tatimi mbi të Ardhura apo edhe të akteve të tjera si udhëzime, interpretime teknike.
Tryeza zgjati për më shumë se tre orë dhe shoqërua me debate shumë interesante nga të pranishmit. Disa nga përfundimet më interesante që mund të përmendim:
