Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, AIPA dhe Departamenti i Drejtësisë, në Universitetin Barleti, organizuan më datë 22 shkurt, 2021, në kuadër të Ditës Botërore të Drejtësisë Sociale, forumin online me temë: “Drejtësia Sociale: një sfidë e shekullit të ri”.
20 Shkurti njihet në të gjithë botën si Dita Botërore e Drejtësisë Sociale, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB më 26 Nëntor 2007 për të mbështetur përpjekjet e një zhvillimi të qëndrueshëm, çrrënjosjen e varfërisë, promovimin e punësimit të plotë, punës së denjë, mbrojtjes sociale universale, barazisë gjinore dhe qasje në mirëqenien sociale dhe drejtësinë për të gjithë.
Drejtësia sociale është një koncept moral dhe politik që synon barazinë e të drejtave mes njerëzve dhe solidaritetin kolektiv. Drejtësia sociale është gjithashtu një nocion që ndryshon në kohë. Ajo që shoqërisht është e drejtë, mund të bëhet e padrejtë nëse konteksti ndryshon. Nga ana tjetër, sot në epokën e teknologjisë digjitale, drejtësia sociale përbën një sfidë me vete. Kështu për këtë aspekt dhe të tjerë të lidhur me të u diskutua në këtë forum online, ku krahas autoriteteve drejtuese, pedagogëve dhe studentëve të Universitetit Barleti, na nderoi me pjesëmarrjen e tij Dr. Ilir Panda, Anëtar i Gjykatës së Lartë
Forumi, i moderuar nga Drejtoresha Ekzekutive e AIPA, Eurona Leka, u hap me fjalën e Përgjegjësit të Departamentit të Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Bajram Yzeiraj, i cili evidentoi rëndësisë e garantimit të drejtësisë sociale për të gjithë.
Sipas axhendës, vijoi fjala e Dr. Ilir Panda. Në fjalën e tij Dr. Panda u përqendrua në tre aspekte kryesore: koncepti i drejtësisë sociale dhe sjelljeve njerëzore; analiza disa dimensionale e marrëdhënieve njerëzore si dhe raporti drejtësi sociale v.s. drejtësi konvencionale. Gjithashtu krahas evidentimit të elementëve të drejtësisë sociale, Dr. Panda theksoi se njerëzit duhet të ndihmohen sipas nevojave që kanë dhe jo sipas një trajtimi të barabartë. Të trajtosh me drejtësi do të thotë të njohësh personalitetin e gjithë secilit dhe drejtësia është më shumë se barazia, përfundoi fjalën e tij Dr. Panda.
Interesant ishte edhe diskutimi i Dr. Elona Bano, mbi drejtësinë sociale si një parim kushtetues. Preambula e Kushtetutës së Shqipërisë, është mjaft e bukur, u shpreh Dr. Bano, pasi drejtësia sillet si hyjnore dhe Neni 3 e specifikon drejtësinë shoqërore si normë. Diskutimin e saj Dr. Bano e bëri edhe me të larmishëm nëpërmjet raportit krahasimor të Kushtetutës së Suedisë dhe Rumanisë si edhe specifikimit të konceptit në instrumentet e tjerë të rëndësishëm ligjorë, ndërkombëtarë dhe rajonalë
Në vijim, diskutimi u bë më i larmishëm nga sugjerimet edhe pyetjet e të pranishmëve. Forumi ishte mjaft interaktiv, por sigurisht nuk shteroi të gjitha pikëpyetjet mbi drejtësisë sociale, edhe pse e realizoi më së miri rolin ceremonial të kremtimit të Ditës Botërore të Drejtësisë Sociale.
Gëzuar Ditën Botërore të Drejtësisë Sociale!