Me iniciativën e Departamentit të Politikës dhe Historisë, ditën e premte, dt 18 nëntor 2011, disa nga pedagogët dhe studentët e Universitetin "Barleti" zhvilluan një udhëtim në Prishtinë, ku edhe morën pjesë në një bisedë të hapur me akademikun dhe kritikun e madh letrar Rexhep Qosja.
Ky udhëtim një ditor u pa në një këndvështrim jo vetëm akademik por edhe turistik ku studentët njohën nga afër akademikun e madh, biseduan me të, morën përgjigje për pyetjet e tyre të larmishme sikundër vizituan edhe qytetin e Prishtinës.
Rruga deri në Prishtinë kaloi duke admiruar pejsazhin kosovar, duke biseduar e kënduar.
Në Prishtinë autobuzi arriti rreth orës 11.30 dhe ishte vetë Prof. Qosja i cili bëri pritjen në hyrje të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe më pas të gjithë u drejtuan në dhomën e përgatitur enkas për këtë takim. Në këtë bisedë të thjeshtë dhe miqësore, e cila zgjati për rreth një orë e gjysëm dhe të shoqëruar me pije, studentët u njohën me fillimet e tij si studiues e letrar dhe më pas si kritik i demokracisë.
Ndër të tjera ai tha se demokracia nuk është thjesht një proçedurë, ajo është marrëdhënie midis njerëzve dhe nuk e lejon intolerancën, korrupsionin, padrejtësinë. Gjithashtu ai tha se studentët kanë punuar dhe luftuar shumë, për shumë vite që problemi kosovar të njihej ndërkombëtarisht dhe ajo të arrinte në 2008, të ishte një shtet i pavarur.
Gjithashtu pyetjes së një studenti të shkencave politike se a do të munden një ditë Kosova dhe Shqipëria të bashkohen në një shtet të vetëm Prof. Rexhep Qosja iu përgjigj: " Nëse një popull e don diçka, e arrin atë."
Në përfundim të bisedës dhe pas shumë pyetjesh ai u dha të gjithë studentëve këtë këshillë: "Duajeni fort atë që bëni, kryeni me përgjegjshmëri punën që i keni caktuar vetes sepse të gjitha profesionet janë të vlefshme. Kini etikë dhe ndershmëri në gjithçka bëni dhe këto mos tNULLi harroni kurrë."
Largimi nga ky takim mbreslënës për të gjithe, u shoqërua me shumë foto, me shëtitje në qytet dhe me premtimin e rikthimit përsëri.
