Rektori i Universitetit Barleti, Prof. Dr. Marenglen Spiro dhe Rektori i Seconda Università degli Studi di Napoli, Prof. Francesco Rossi, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy universiteteve, që parashikon bashkërendimin në organizimin e kualifikimeve dhe formimeve të përbashkëta profesionale e universitare. Ndërlidhja mes dy institucioneve të arsimit të lartë, do të përfshijë jo vetëm shkëmbim të profesoratit e studentëve, por edhe të kapaciteteve kulturore e teknologjike. Stafi i të dyja shkollave do tNULLi ketë dyert të çelura për homologët në zhvillimet e konferencave, simpoziumeve e aktiviteteve të tjera, si edhe në botimet dhe periodikët akademikë apo të atyre që prekin fushat e interesit të të dyja universiteteve. Shkëmbimi i përvojës do të shtrihet edhe në vlerësimin e njohjen reciproke të diplomave dhe në programe e veprimtari të përbashkëta kërkimore.
Seconda Università degli Studi di Napoli u themelua më 1991, pasi Këshilli i Ministrave vendosi që Universiteti i Napolit "Federico II" të ulte numrin e studentëve. Ky degëzim përfshin Fakultetet e Arkitekturës, Inxhinierisë, Shkencave Politike, Ekonomisë, Psikologjisë, Mjekësisë dhe Kirurgjisë, Shkencave të Farmacisë për Ambientin e Shëndetin, Shkencave Matematike, Fizike dhe Natyrore, Studimeve Politike për Formim të Nivelit të Lartë Evropian e Mesdhetar"Jean Monnet", Jurisprudencës, Letërsisë dhe Filozofisë. Ky është një ndër institucionet e pakta arsimore që ka në strukturën e tij edhe një muze, atë të Anatomisë Njerëzore.