Në fillim të muajit prill, Universiteti Barleti u informua për gjashtë bursave rreth Masterit Shkencor 2 vjeçar në degën "Economics and Market Policy", ofruar nga Fakulteti i Ekonomiksit në Rimini të Italisë. Gjashtë bursat akordoheshin nga Universiteti i Bolonjës për studentë të huaj të talentuar, të cilët nuk ishin shtetas të BE-së ose shtetas të BE-së me një diplomë e formim në përputhje me sistemin e lartë arsimor italian.
Zyra e Karrierës, nën udhëheqjen e Dekanit të Studentëve u angazhua për informimin e studentëve më të mirë të Universitetit rreth kësaj mundësie. Grupi kryesor që u mbikëqyr dhe u asistua për aplikim, ishin studentet e viteve të treta, degët Financë-Kontabilitet dhe Menaxhim Biznesi.
Pas aplikimit të një numri të konsiderueshëm studentësh dhe pas një shqyrtimi të hollësishëm të aplikimeve të bëra nga ana e Fakultetit të Ekonomiksit në Rimini, studentja Lianta Shota e vitit të tretë, dega Financë - Kontabilitet, u përzgjodh si një nga gjashtë fitueset e bursës për Master Shkencor në degën "Economics and Market Policy".
Kjo studente, përveçse ka arritur rezultate shumë të mira në vitet e studimit pranë Universitetit Barleti, arriti që të tregojë edhe njëherë jo vetëm përgatitjen e saj të shkëlqyer, por vërtetoi edhe cilësinë e mësimdhënies e të nivelit akademik pranë universitetit tonë, i cili tashmë konkurron fuqishëm me të gjithë universitetet e tjera publike apo jopublike vendase dhe të huaja.