
Në kuadrin e programit të veprimtarive “100 Vjet Parlament”, me qëllim përgatitjen e realizimit të projekteve të propozuara nga universiteti “Barleti”, Rektori i Universitetit Prof. Marenglen SPIRO, u prit nga Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Akademiku Kosta Barjaba.
Profesor Spiro bëri një paraqitje të programit të veprimtarive të parashikuara nga institucioni që ai drejton me rastin e 100 Vjetorit të Paramentit Shqiptar, duke theksuar organizimin e Konferencës Ndërkombëtare Shkencore “Sovraniteti përballë Globalizmit” më 27 Mars 2020, tamam në ditën komemorative të këtij 100 Vjetori, akordimin e bursave “100 Vjetori i Parlamentarizmit” studentëve më të mirë të universitetit “Barleti”; ai sugjeroi bashkëpunimin për të organizuar një mbledhje të qeverisë studentore në sallën e seancave plenare të Kuvendit. Në këtë kuadër, gjithnjë, Rektori përmendi edhe serinë e takimeve të profesoratit të institucionit dhe studentëve me ish kryetarë të parlamentit shqiptar ndër vite sikundër dhe inisiativën e Departamentit të Shkencave Politike për të organizuar takime me ish presidentët e Republikës, përgjatë javës së fundit të muajit Nëntor, si një javë me “ditë të kujtesës”: me rastin e ditës së Pavarësisë dhe asaj të Çlirimit të vendit.
Drejtori i Kabinetit vlerësoi planin e programit të aktiviteteve parashikuar nga universiteti “Barleti” me këtë rast dhe, në vijim të bashkëpunimit të institucionit tonë me Kuvendin e Shqipërisë, në bazë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar midis dy institucioneve, i komunikoi Rektorit Spiro vullnetin e plotë të administratës së Kuvendit të Shqipërisë për të dhënë kontributin maksimal për realizimin e parashikimeve të marrëveshjes.
Të dy titullarët ranë dakord që të planifikohet, deri në fund të muajit Nëntor 2019, në bazë e në realizim të marrëveshjes, sistemi i organizimit të praktikave të studentëve dhe intership-eve pranë Kuvendit, duke bashkërenduar veprimet e masat me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë.
