Në kuadër të vizitave akademike të parashikuara si pjesë e aktiviteteve ekstra kurrikulare të “ Universiteti Barleti”, më datë 1 dhjetor 2016, studentët e programit shkenca politike të shoqëruar edhe nga pedagoget Fatjona Qurku dhe Eurona Leka, ishin të pranishëm dhe ndoqën seancën plenare të asaj dite, ku si çështje primare e rendit të ditës ishte “Projektbuxheti dhe paketa fiskale për vitin 2017”. Studentët u pritën në lloxhën kryesore nga Znj. Manjola Zeka, Drejtoreshë e shërbimit të marrëdhënieve me publikun dhe Z. Julian Gazeli, Specialist i sektorit të pritjes së qytetarëve.
Në pritje të fillimit të seancës, në një prezantim për rreth 20 min të bërë nga Znj. Manjola, studentët u njohën më konkretisht me strukturën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, komisionet parlamentare, administratën dhe me mënyrën se si diskutohet dhe merren vendimet. Gjatë këtij intervali ata u vizituan dhe bënë dhe një bisedë të shkurtër edhe me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla.
Kjo vizitë e kthyer tashme në traditë prej tre vitesh, u cilësua nga vetë studentët si shumë me vlerë duke u mundësuar atyre një konkretizim të realitetit politik, të studiuar në auditorët e “ Universitet Barleti”.
