STAMINA Living Lab i është bashkuar zyrtarisht Rrjetit Evropian të Living Labs (ENoLL), duke u bërë Living Lab-i i parë në Shqipëri që bëhet pjesë e këtij rrjeti ndërkombëtar.
Anëtarësimi u njoh zyrtarisht gjatë Open Living Lab Days 2026, të zhvilluar në Antwerp, Belgjikë, ku Michele Biring-Pani, Drejtor i STAMINA Living Lab, mori në emër të Living Lab certifikatën e anëtarit të ri të STAMINA-s.
I krijuar nga Universiteti Barleti dhe Barleti Medical Group, STAMINA ndërthur shëndetësinë, kërkimin shkencor dhe inovacionin përmes bashkëkrijimit dhe eksperimentimit në kushte reale. Veprimtaria e tij fokusohet në jetesën e shëndetshme, shëndetin digjital dhe jetesën inteligjente, duke krijuar një mjedis ku studiues, profesionistë të shëndetësisë, pacientë, studentë, inovatorë, biznese dhe aktorë të tjerë mund të bashkëpunojnë për zhvillimin dhe testimin e zgjidhjeve në mjedise reale.
Anëtarësimi në ENoLL përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e STAMINA-s dhe e lidh Living Lab-in me një komunitet ndërkombëtar të angazhuar ndaj inovacionit të hapur dhe të orientuar drejt përdoruesit. Ky anëtarësim krijon mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim njohurish, përfshirje në iniciativa evropiane të kërkimit dhe inovacionit, si dhe partneritete me Living Labs të tjera.
STAMINA mori pjesë gjatë gjithë Open Living Lab Days 2026 në diskutime mbi politikat, workshop-e bashkëkrijimi, aktivitete rrjetëzimi dhe shkëmbime me Living Labs të tjera dhe organizata të inovacionit. Aktiviteti ofroi mundësinë si për të përjetuar në praktikë metodologjitë e Living Lab, ashtu edhe për të krijuar marrëdhënie të reja për bashkëpunime të ardhshme.
Kjo njohje përbën një moment të rëndësishëm për STAMINA-n dhe për institucionet e saj themeluese, Universitetin Barleti dhe Barleti Medical Group, kapacitetet e përbashkëta akademike, kërkimore dhe shëndetësore të të cilave përbëjnë bazën e Living Lab-it. Ajo forcon angazhimin e tyre të përbashkët për të lidhur kërkimin me praktikën dhe për të përfshirë drejtpërdrejt përdoruesit fundorë në proceset e shëndetësisë dhe inovacionit.
Si Living Lab-i i parë në Shqipëri që i bashkohet ENoLL, STAMINA tashmë bëhet pjesë e një komuniteti më të gjerë ndërkombëtar, duke vijuar njëkohësisht zhvillimin e aktiviteteve, partneriteteve dhe ndikimit të saj në Shqipëri.
