Universiteti Barleti po merr pjesë në aktivitetet e projektit Erasmus+ EDU5WB – Level 5, të zhvilluara në Bologna, Itali, së bashku me partnerë europianë nga institucionet e arsimit profesional, universitetet dhe sektori i biznesit.
Shqipëria përfaqësohet në këtë projekt nga Universiteti Barleti, z. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, si përfaqësues i komunitetit të biznesit shqiptar, si dhe nga sektori i arsimit profesional përmes znj. Rudina Licaj, Drejtoreshë e Shkollës Profesionale të Hoteleri–Turizmit në Sarandë.
Gjatë takimeve dhe sesioneve të trajnimit, fokusi kryesor ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit profesional dhe biznesit, me qëllim krijimin e mundësive më të mira për punësimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve. Diskutimet u përqendruan në zhvillimin e kualifikimeve të Nivelit 5, programeve profesionale të orientuara nga nevojat e tregut të punës dhe rolit të tyre në lehtësimin e tranzicionit nga arsimi drejt punësimit.
Përmes angazhimit në projekte ndërkombëtare si EDU5WB – Level 5, Universiteti Barleti vijon të kontribuojë në modernizimin e arsimit, forcimin e lidhjeve me industrinë dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe të rinjtë në përputhje me standardet europiane.
Projekti synon ndërtimin e një sistemi më të fortë dhe më të qëndrueshëm të arsimit profesional, të lidhur ngushtë me nevojat e ekonomisë dhe kërkesat e tregut të punës, duke promovuar zhvillimin e aftësive dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.
