Në kuadër të projektit kërkimor “Sfidat e Transformimit Dixhital për Turizmin Autentik: Shërbimi, Produkti, Destinacioni dhe Eventi”, financuar nga AKKSHI dhe zbatuar nga Universiteti Barleti në partneritet me Hotel Adriatik, u zhvillua aktiviteti në terren për hartimin dhe pilotimin e itinerareve autentike.
Itinerari u konceptua si një produkt gastronomik dhe kulturor me identitet të fortë territorial, duke integruar trashëgiminë UNESCO të Beratit, veraritë lokale, gastronominë tradicionale dhe agroturizmin e zonës.
Aktiviteti përfshiu vizita në lagjet historike të Mangalemit dhe Goricës, Kalanë e Beratit dhe struktura agroturistike, si dhe ndalesa në zonën e Belshit, me synim zgjerimin e përvojës turistike drejt elementeve natyrore dhe rekreative.
Gjatë aktivitetit u realizuan pyetësorë dhe konsultime të drejtpërdrejta me biznese lokale dhe turistë, me fokus:
▪️ perceptimin mbi potencialin e itinerarit
▪️ përdorimin e teknologjisë dhe marketingut dixhital
▪️ promovimin online të destinacionit
▪️ nevojat për inovacion dhe ndërkombëtarizim të produkteve turistike
Aktiviteti u organizua nën kujdesin e Departamentit të Turizmit, Mikpritjes dhe Rekreacionit, duke shërbyer njëkohësisht si një eksperiencë konkrete akademike dhe profesionale për studentët. Përmes pjesëmarrjes aktive në terren, studentët u përfshinë në praktika kërkimore, komunikim me aktorët lokalë dhe analizë të potencialit turistik të destinacionit, duke ndërthurur njohuritë teorike me realitetin e industrisë së turizmit dhe mikpritjes.
