Në kuadër të promovimit të mirëqenies dhe shëndetit fizik në komunitet, në Universitetin Barleti u zhvillua aktiviteti “Një ditë si Fizioterapist”, i organizuar nga studentët e programit të Fizioterapisë, pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore,
të mbështetur nga pedagoget Dr (Cand) Jola Çini dhe MSc. Blerina Kanushi, profesionistë të fushës.
Gjatë aktivitetit, studentët ofruan vlerësime fizioterapeutike për stafin dhe studentët e universitetit, duke evidentuar problematika muskulo-skeletore dhe duke dhënë këshilla profesionale mbi posturën, aktivitetin fizik dhe parandalimin e dhimbjeve të lidhura me stilin e jetesës sedentare.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe një seancë në grup “Pilates Postural”, e udhëhequr nga një studente e Fizioterapisë, njëkohësisht instruktore Pilates, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të praktikojnë ushtrime të fokusuara në përmirësimin e posturës, fleksibilitetit dhe mirëqenies fizike.
Ky aktivitet solli një eksperiencë praktike dhe ndërvepruese për studentët e Fizioterapisë, duke i afruar ata me praktikën profesionale dhe duke kontribuar njëkohësisht në kujdesin ndaj shëndetit të komunitetit Barletas.
