Sot u çel zyrtarisht edicioni i XXI i Barleti University Scientific Forum, një nga aktivitetet më të rëndësishme akademike dhe shkencore të Universitetit Barleti, i organizuar këtë vit nën temën “Applied Research, Innovation and Smart Specialization for Sustainable Growth”.
Dita e parë e konferencës mblodhi në Universitetin Barleti akademikë, studiues, ekspertë, inovatorë dhe keynote speakers nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, duke e kthyer forumin në një hapësirë ndërkombëtare dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi idesh mbi kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes morën pjesë Rektorja e Universitetit Barleti, Prof. Dr. Suzana Guxholli, si dhe Zv/Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin, Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani, të cilët theksuan rëndësinë e kërkimit shkencor, inovacionit dhe rolit të universiteteve në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë dhe ekonomisë së dijes.
Ky edicion i forumit shënon një moment të rëndësishëm për Universitetin Barleti, pasi për herë të parë konferenca zhvillohet në një format gjithëpërfshirës ndërdisiplinor, duke bashkuar fusha të ndryshme si arkitektura, teknologjia, ekonomia, shkencat sociale, qeverisja, inovacioni dhe zhvillimi i qëndrueshëm në një platformë të vetme akademike dhe shkencore.
Në panelin e keynote speakers morën pjesë përfaqësues dhe ekspertë nga universitete prestigjioze ndërkombëtare, ndër të cilat:
• Politecnico di Bari – Itali
• London School of Economics – Mbretëria e Bashkuar
• Sapienza University of Rome – Itali
• University of Rome “Foro Italico” – Itali
• DePaul University, Chicago – SHBA
Forumit iu bashkuan gjithashtu edhe universitete partnere shqiptare, duke forcuar bashkëpunimin akademik dhe shkencor ndërinstitucional:
• Universiteti i Durrësit
• Universiteti i Korçës
• Universiteti i Gjirokastrës
• Universiteti i Vlorës
• Universiteti Bujqësor i Tiranës
Diskutimet dhe prezantimet kërkimore shkencore të ditës së parë u fokusuan në kërkimin e aplikuar, inovacionin, zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin akademik ndërkombëtar dhe sfidat globale që kërkojnë zgjidhje multidisiplinare.
Në Universitetin Barleti besojmë se kërkimi shkencor nuk duhet të mbetet vetëm në auditorë apo publikime akademike, por duhet të ndikojë drejtpërdrejt në shoqëri, industri dhe zhvillimin e së ardhmes përmes ideve, inovacionit dhe bashkëpunimit.
Dita e parë e forumit u mbyll me diskutime frymëzuese, lidhje të reja akademike dhe një vizion të përbashkët për ndërtimin e urave të bashkëpunimit përmes dijes dhe inovacionit.
