Universiteti Barleti mirëpriti Takimin Këshillimor me Institucionet Akademike, të zhvilluar në kuadër të përditësimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kombëtar për Biodiversitetin (NBSAP) dhe hartimit të Raportit të Shtatë Kombëtar.
Takimi mblodhi ekspertë, studiues dhe përfaqësues të komunitetit akademik, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme bashkëpunimi dhe diskutimi mbi sfidat që lidhen me mbrojtjen dhe menaxhimin e biodiversitetit në Shqipëri. Diskutimet u orientuan drejt qasjeve të integruara dhe politikave të bazuara në evidencë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së ekosistemeve.
Në qendër të diskutimeve ishin çështje që lidhen me planifikimin hapësinor detar dhe ruajtjen e biodiversitetit detar, integrimin e trashëgimisë kulturore në menaxhimin e biodiversitetit, ndikimin financiar të politikave të lidhura me NBSAP, si dhe monitorimin dhe integrimin e barazisë gjinore në këtë sektor.
Referimet u mbajtën nga ekspertë dhe akademikë të fushës, mes të cilëve Rezart Kapedani, Laura Shumka, Ares Filto, Mirela Muça, Rezarta Sheshaj dhe Saimir Kristo, të cilët sollën perspektiva të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me biodiversitetin dhe politikat mjedisore.
Përmes diskutimeve të hapura dhe shkëmbimit të ideve, aktiviteti kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në ndërtimin e një dialogu më të gjerë mes akademisë dhe aktorëve të përfshirë në hartimin e politikave publike.
Ky takim përfaqëson një hap konkret drejt zhvillimit të politikave më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e biodiversitetit, duke theksuar rëndësinë e rolit të kërkimit shkencor dhe ekspertizës akademike në adresimin e sfidave mjedisore.
