Universiteti Barleti mori pjesë në Konferencën Lançuese të Thirrjeve për Projekte të Kërkimit Shkencor 2025, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), një forum kombëtar ku u prezantuan praktikat më të mira dhe rezultatet më të spikatura në fushën e kërkimit dhe inovacionit.
Në këtë aktivitet, Universiteti Barleti prezantoi historinë e suksesit të projektit të realizuar në kuadër të PTI – Programit për Transferimin e Inovacionit, si një model konkret dhe funksional i bashkëpunimit Universitet–Biznes, në partneritet me kompaninë Olivea.
Projekti me titull “Zbatimi i teknologjive inovative të integruara të vjeljes dhe përpunimit të ullirit për përmirësimin e cilësisë së vajit” dëshmon se kërkimi shkencor universitar, kur është i orientuar drejt nevojave të tregut, mund të shndërrohet në zgjidhje të aplikueshme për sektorin prodhues. Përmes identifikimit dhe zbatimit të teknologjive bashkëkohore, si dhe transferimit të njohurive te fermerët dhe subjektet përpunuese, projekti kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë dhe konkurrueshmërisë së vajit të ullirit.
Pjesëmarrja dhe vlerësimi i këtij projekti në një forum kombëtar konfirmon angazhimin e Universitetit Barleti për të konsoliduar rolin e tij si universitet aplikativ dhe sipërmarrës, duke prodhuar inovacion me impakt të matshëm në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
