Më 30 Janar 2026, në ambientet e Universitetit Barleti u zhvillua me sukses trajnimi profesional me temë: “Means of Egress in Complex Buildings: Design Criteria and Safety Assessment”.
Trajnimi u organizua në bashkëpunim me SFPE Albania (Society of Fire Protection Engineers – Albania Chapter) dhe u mbajt nga Dr. Ing. Andrea Bartolini, ekspert ndërkombëtar i inxhinierisë së sigurisë nga zjarri me mbi 20 vite eksperiencë në projektim dhe vlerësim bazuar në performancë të sigurisë në ndërtesa komplekse.
Aktiviteti mblodhi rreth 80 profesionistë nga kompanitë më të mëdha të projektimit, ndërtimit dhe konsulencës në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe autoriteteve të përfshira në proceset e projektimit dhe miratimit. Gjatë trajnimit u trajtuan:
• Parimet themelore të projektimit të rrugëve të evakuimit në ndërtesa komplekse
• Analiza e ngarkesës së përdoruesve dhe karakteristikat e lëvizjes së tyre
• Kapaciteti i daljeve, distancat e udhëtimit dhe shpërndarja e tyre
• Strategjitë e evakuimit (phased evacuation, horizontal evacuation, defend-in-place)
• Ndërveprimi midis evakuimit, zhvillimit të zjarrit dhe kushteve të tymit
• Qasja performance-based në vlerësimin e sistemeve të egress-it
Trajnimi u karakterizua nga një qasje e thelluar inxhinierike, me lidhje të drejtpërdrejtë midis kërkesave normative dhe gjykimit profesional, duke u mbështetur në raste reale nga projekte të mëdha ndërkombëtare.
Ky aktivitet konfirmon angazhimin e Universitetit Barleti për të sjellë në Shqipëri ekspertizë të nivelit ndërkombëtar dhe për të krijuar një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi midis akademisë, profesionistëve dhe organizatave ndërkombëtare si SFPE.
Universiteti Barleti do të vijojë organizimin e aktiviteteve të specializuara në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, arkitekturës, inxhinierisë të ndërtimit dhe projektimit bazuar në performancë, në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale në Shqipëri dhe rajon.
