Departamenti i Shkencave të Aplikuara dhe Kompjuterike organizoi sot, më 28 janar 2026, në orën 13:00, në laboratorin 035, një leksion të hapur me të ftuar znj. Zelihe Doda, me temë: “Nga identifikimi te zgjidhja: Rritja e cilësisë së softuerit përmes praktikës së code review”.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentët e programeve Bachelor të departamentit, të cilët patën mundësinë të njihen më nga afër me rëndësinë e kontrollit të kodit si një praktikë thelbësore në zhvillimin profesional të softuerit. Gjatë leksionit u trajtuan çështje që lidhen me identifikimin e gabimeve, përmirësimin e strukturës së kodit, bashkëpunimin në ekipe zhvillimi dhe ndërtimin e standardeve të qëndrueshme të cilësisë.
Znj. Doda ndau gjithashtu përvoja praktike nga puna në projekte reale, duke ilustruar mënyrën se si procesi i code review ndihmon jo vetëm në rritjen e cilësisë teknike të produkteve softuerike, por edhe në zhvillimin e aftësive profesionale të programuesve të rinj, si komunikimi teknik, përgjegjësia dhe mendimi kritik.
Leksioni u shoqërua me diskutime dhe pyetje nga studentët, duke e kthyer takimin në një hapësirë ndërvepruese dhe të vlefshme për ndërlidhjen e njohurive teorike me praktikat e tregut të punës në fushën e teknologjisë.
Departamenti falënderon znj. Zelihe Doda për kontributin e saj dhe për ndarjen e një përvoje të rëndësishme profesionale me studentët tanë.
