Klubi Studentor “Drejtësi dhe Mirëqeverisje” organizoi një aktivitet tematik kushtuar 27 Janarit, Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit, me nismën e studentes së Drejtësisë, Alesia Doku.
Ky takim u fokusua në analizimin e njërës prej shkeljeve më të rënda të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në historinë botërore. Aktiviteti synoi krijimin e një hapësire reflektimi mbi pasojat tragjike të diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve kundër njerëzimit.
Aktiviteti u hap nga përgjegjësja e departamentit, Prof. Elizabeta Imeraj, e cila vlerësoi iniciativën dhe angazhimin aktiv të studentëve në trajtimin e temave me peshë të veçantë historike e juridike.
Gjatë takimit, studentët prezantuan dhe diskutuan çështje kyçe, si:
· Gjeneza dhe zhvillimi i Holokaustit: Një vështrim mbi shkaqet, si dhe shtrirjen e tij kohore e gjeografike;
· Pasojat multidimensionale: Ndikimi historik, shoqëror dhe juridik;
· Kujtesa dhe Ligji: Ndryshimet ligjore pas vitit 1945 dhe vendosja e standardeve të reja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut;
· Sfidat aktuale: Mbrojtja e pakicave në epokën moderne dhe funksionimi i mekanizmave institucionalë.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë reflektimi e informimi, duke nënvizuar se kujtesa historike dhe edukimi juridik janë shtylla thelbësore për rolin e drejtësisë në parandalimin e krimeve të tilla në shoqëritë bashkëkohore.
