Workshop-i “VR Experience Evaluation” u fokusua në prezantimin dhe testimin e platformës së Realitetit Virtual (VR), të krijuar posaçërisht për Muzeun Etnografik të Beratit.
Aktiviteti u koordinua nga Sokol Shurdhi, Drejtor i Qendrës ICT në Universitetin Barleti, si pjesë e një studimi empirik mbi aplikimin e teknologjive immersive (gjithëpërfshirëse) në trashëgiminë kulturore. Gjatë këtij sesioni, pjesëmarrësit eksploruan përmbajtje digjitale interaktive të muzeut përmes pajisjeve VR. Kontributi i tyre ishte kyç në vlerësimin e përdorshmërisë së platformës, nivelit të angazhimit dhe pranimit të kësaj teknologjie. Për këtë qëllim, u përdorën instrumente standarde për matjen e përvojës së përdoruesit (User Experience Evaluation).
Ky workshop shërben si një komponent thelbësor për mbledhjen e të dhënave kërkimore në ambientet e Lab TRIANGLE. Rezultatet do të ndihmojnë në analizën shkencore mbi ndikimin e Realitetit Virtual në pasurimin e përvojës së vizitorëve dhe promovimin e inovacionit digjital në sektorin muzeor, duke u integruar në publikime të mëtejshme akademike.
