Në kuadër të Kursit për Udhërrëfyes Turistik – Specialiteti "Scuba Diving", po zhvillohen praktikat profesionale në terren. Këto praktika fokusohen në zbatimin e njohurive teorike dhe teknike në kushte reale nënujore.
Seancat zhvillohen nën udhëheqjen e instruktorit z. Vladimir Dedndreaj (kualifikuar si Instructor Trainer – Dive Leadership) dhe synojnë aftësimin profesional të kandidatëve për të operuar në mënyrë të sigurt dhe të standardizuar.
Gjatë këtij specialiteti, kandidatët aftësohen për:
Udhëheqjen e zhytjes (Dive Leadership)
- Udhëheqjen e sigurt të zhytësve të certifikuar dhe atyre fillestarë.
- Planifikimin dhe organizimin e zhytjeve rekreative.
- Menaxhimin e grupeve nën ujë dhe në sipërfaqe.
Sigurinë dhe menaxhimin e riskut
- Parandalimin e incidenteve dhe aksidenteve.
- Menaxhimin e emergjencave brenda dhe jashtë ujit.
- Aplikimin e procedurave të shpëtimit dhe asistencës.
Profesionalizmin dhe standardet e industrisë
- Kultivimin e sjelljes profesionale dhe etike.
- Respektimin rigoroz të standardeve ndërkombëtare të zhytjes.
- Zhvillimin e aftësive komunikuese me klientët dhe ekipet profesionale.
Njohuri teorike dhe praktike të avancuara
- Fizikën dhe fiziologjinë e zhytjes.
- Përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve Scuba.
- Navigimin, kontrollin e lundrueshmërisë (buoyancy) dhe teknikat e avancuara.
Ky specialitet kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit nënujor dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve të aventurës në Shqipëri.
