Klubi studentor “Drejtësi dhe Mirëqeverisje”, nën mentorimin e pedagogut Erion Kristo, organizoi një aktivitet social-kulturor me pjesëmarrjen e studentëve të vitit të parë, i cili iu kushtua përvojës finlandeze të mirëqeverisjes dhe modelit të saj shoqëror.
Duke u mbështetur në librin “100 risi sociale nga Finlanda”, studentët prezantuan dhe analizuan në mënyrë të strukturuar disa nga shtyllat kryesore që e karakterizojnë këtë model të suksesshëm, si: barazia gjinore, sistemi i arsimit falas dhe gjithëpërfshirës, siguria sociale, si dhe politikat e qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin ekologjik. Çdo temë u shoqërua me shembuj konkretë dhe reflektime mbi mënyrën se si këto praktika mund të shërbejnë si frymëzim edhe për realitetin shqiptar.
Aktiviteti u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi të hapur, ku studentët ndanë mendime, pyetje dhe opinione mbi funksionimin e demokracisë parlamentare, rolin e institucioneve dhe rëndësinë e përfshirjes aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Në këtë kontekst, Finlanda u paraqit si një rast studimor model, ku qeverisja ndërtohet mbi transparencën, besimin publik dhe respektimin e të drejtave themelore.
Pedagogu mentor, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në formimin akademik dhe qytetar të studentëve, duke nënvizuar se njohja me modele të suksesshme ndërkombëtare ndihmon në ndërtimin e një vizioni më të qartë për të ardhmen e mirëqeverisjes dhe demokracisë në vend.
Ky aktivitet u vlerësua si një hap domethënës në nxitjen e mendimit kritik, dialogut konstruktiv dhe ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rolin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
