Në Universitetin Barleti u zhvillua Konsultimi i Tretë Kombëtar, një ngjarje kyçe në kuadër të projektit “Albania’s Preparation of Inventory of Banks of Used or Unwanted Controlled Substances” (Përgatitja e inventarit të bankave të substancave të kontrolluara të përdorura ose të padëshiruara në Shqipëri). Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit (NjKO) dhe nën koordinimin e pedagoges Silvana Delia.
Në konsultim morën pjesë 93 pjesëmarrës, përfshirë pedagogë, profesionistë të fushës dhe studentë, duke krijuar një hapësirë dialogu ndërdisiplinore dhe tekniko-profesionale mbi menaxhimin e substancave të kontrolluara dhe politikat mjedisore.
Gjatë veprimtarisë u trajtuan tema thelbësore, ndër të cilat:
• përditësimi mbi ecurinë e projektit dhe rezultatet paraprake të inventarit, i koordinuar nga NjKO;
• analiza e të dhënave nga institucionet publike dhe sektori privat, si dhe identifikimi i boshllëqeve të informacionit;
• kuadri ligjor dhe institucional për menaxhimin e substancave të kontrolluara, duke përfshirë zbatimin e legjislacionit kombëtar dhe rregulloreve të Bashkimit Europian;
• prezantimi i draftit fillestar të Planit Kombëtar të Veprimit, me fokus në masat konkrete, ndërhyrjet e nevojshme dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Diskutimet dhe komentet e pjesëmarrësve kontribuan drejtpërdrejt në përmirësimin e inventarit dhe të draftit të Planit Kombëtar të Veprimit. Konsultimi u vlerësua si një hap kyç në avancimin e menaxhimit të substancave të kontrolluara dhe në forcimin e zbatimit të Protokollit të Montrealit në Shqipëri.
