Universiteti Barleti, në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit (NjKO), zhvilloi një orë të hapur ndërgjegjësuese në Fakultetin e Ekonomisë, Qeverisjes dhe Drejtësisë (FEQJ), në kuadër të projektit “Albania’s Preparation of Inventory of Banks of Used or Unwanted Controlled Substances” (Përgatitja e inventarit të bankave të substancave të kontrolluara të përdorura ose të padëshiruara në Shqipëri), nën moton “Vepro, Riciklo, Shpëto”.
Ora e hapur, e drejtuar nga pedagogia Dr. Angjelina Vuksani, trajtoi Protokollin e Montrealit dhe mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe klimës nga dy këndvështrime thelbësore: kërkimi shkencor si element kyç në zhvillimin e politikave mjedisore dhe analiza financiare e zbatimit të standardeve ndërkombëtare.
Pedagogët dhe 29 studentët pjesëmarrës u fokusuan në ndikimin financiar të respektimit të Protokollit të Montrealit dhe në rëndësinë e zbatimit praktik të parimit 3R – Redukto, Ripërdor, Riciklo – duke theksuar se mbrojtja e mjedisit përfaqëson njëkohësisht një investim mjedisor dhe ekonomik.
Ky aktivitet forcoi rolin e Universitetit Barleti si një aktor aktiv në ndërthurjen e edukimit, kërkimit shkencor dhe impaktit ekonomik, duke nxitur pjesëmarrjen aktive të studentëve dhe komunitetit akademik në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Protokollit të Montrealit.
