Studentët e programeve të Turizmit dhe Sporteve zhvilluan një vizitë të veçantë studimore në Ish-Vilën e Enver Hoxhës, të njohur sot si Vila 31, një objekt që mbart një histori të rëndësishme të së kaluarës komuniste në Shqipëri dhe që sot konsiderohet një nga destinacionet më domethënëse të dark tourism.
Vila, e ruajtur pothuajse në formën e saj origjinale, ofron një dritare autentike drejt mënyrës së jetesës së elitës politike të kohës dhe shërben si simbol i kontrasteve të mëdha mes pushtetit dhe realitetit të popullit.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të analizojnë:
- zhvillimin e turizmit historik dhe memorial në Shqipëri;
- konceptet e dark tourism dhe potencialin e tyre në industrinë turistike;
- mënyrat e interpretimit të narrativës historike për vizitorë vendas dhe të huaj;
- rëndësinë e edukimit përmes destinacioneve që lidhen me historinë e vështirë të vendit.
Kjo përvojë është pjesë e filozofisë sonë të mësimdhënies në terren, ku studentët lidhen drejtpërdrejt me realitetin historik, kulturor dhe turistik të Shqipërisë, duke ndërtuar njohuri të thelluara dhe të aplikueshme.
Vizita u realizua falë nismës së studentëve të programeve të Sporteve, në veçanti studentit Ored Gjoni, i cili kontribuoi në organizimin e itinerarit.
