Në datat 7–8 nëntor 2025, Universiteti Barleti zhvilloi me sukses aktivitetin përmbyllës të projektit “EIT Food Startup Awareness Event – Albania”, një nismë e rëndësishme e mbështetur nga EIT Food North & East në kuadër të Regional Innovation Scheme (RIS). Ky aktivitet shënoi kulmin e një programi gjashtëmujor, që përfshiu përzgjedhjen dhe mentorimin e startup-eve dhe mentorëve në sektorin agro-ushqimor, me synimin për të nxitur inovacionin, sipërmarrjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në këtë fushë me prioritet kombëtar dhe rajonal.
Në ceremoninë hapëse të ditës së parë, morën fjalën Dr. Angjelina Vuksani, koordinatore e projektit, Prof. Dr. Suzana Guxholli, Rektore e Universitetit Barleti, Znj. Franceka Korance, përfaqësuese e EIT Community Albania, si dhe Z. Miroslaw (Mirek) Raba, Partnership Manager North & East i EIT Food, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërmjet institucioneve akademike, startup-eve dhe sektorit privat në forcimin e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri dhe rajon.
Pas panelit me temë “Sfidat dhe mundësitë në agroushqim”, ku morën pjesë përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Bizneseve Agroushqimore, Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe ekspertë të sektorit, u zhvillua programi EIT Food Challenge Labs. Gjatë kësaj faze, pjesëmarrësit u përfshinë në një proces intensiv krijimi dhe inovacioni, duke zhvilluar zgjidhje konkrete për sfida reale të zinxhirit agroushqimor. Sesionet e mentorimit dhe trajnimit u drejtuan nga mentoret, të cilët orientuan grupet drejt zhvillimit të modeleve të reja të biznesit që ndërthurin qëndrueshmërinë, teknologjinë dhe kreativitetin. Në përfundim të ditës së parë, pas sesionit “Pitching & Feedback”, juria përzgjodhi gjashtë startup-et fituese, të cilat do të mbështeten financiarisht për zhvillimin e ideve të tyre inovative në sektorin agroushqimor.
Dita e dytë, e titulluar “Agri-Food Startup Connect”, u fokusua në krijimin e hapësirave të rrjetëzimit dhe bashkëpunimit ndërmjet startup-eve fituese, përfaqësuesve të biznesit, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Këshillit Kombëtar të Agrobiznesit (KASH), botës akademike dhe mediave. Ky event shërbeu si një platformë bashkëpunimi ndërmjet akademisë, sipërmarrjes dhe politikëbërjes, duke promovuar sinergjinë ndërmjet inovacionit shkencor dhe zgjidhjeve praktike të tregut.
Në përmbyllje, EIT Food Startup Awareness Event – Albania u vlerësua si një model suksesi për integrimin e edukimit, kërkimit dhe sipërmarrjes, duke forcuar rolin e Universitetit Barleti si një institucion udhëheqës në zhvillimin e kapaciteteve inovative dhe sipërmarrëse në sektorin agro-ushqimor.
Ky projekt ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e ndërgjegjësimit, zhvillimin e aftësive profesionale dhe krijimin e partneriteteve të reja mes aktorëve publikë dhe privatë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për të ardhmen e inovacionit në Shqipëri.
