Fjala, libri dhe krijimtaria u bënë sot një në auditorin e Universitetit Barleti, ku u zhvillua takimi letrar “Në laboratorin e fjalës” me shkrimtarin Liridon Mulaj. Ky aktivitet, i organizuar nga Klubi i Librit me ideator studentin Eneriko Stavre, Dr. Olta Murataj dhe Biblioteka e Universitetit, solli një atmosferë dialogu dhe reflektimi mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare dhe rolin që ajo luan në formimin e shpirtit krijues.
Liridon Mulaj, një ndër zërat më të dallueshëm të letërsisë së re shqipe, është autor i disa veprave letrare që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe kritikës, si I pakuptuari, Kërkohet një vrasës, Provinca dhe, së fundmi, romani Net dhe Mjaltë, të cilin e prezantoi gjatë takimit.
Përmes rrëfimeve dhe reflektimeve të tij, autori ndau me studentët procesin e shkrimit, frymëzimet dhe mënyrën se si fjala bëhet urë mes përvojës personale dhe realitetit kolektiv.
Diskutimet u shoqëruan me pyetje dhe mendime nga të rinjtë, që treguan kureshtje për procesin krijues dhe për zgjedhjet tematike të autorit. Në një moment të veçantë, shkrimtari i orientoi studentët drejt leximit të letërsisë së mirë, duke nënvizuar se “libri i duhur mund të bëhet udhërrëfyesi më i vlefshëm për njeriun që kërkon të njohë veten”.
Takimi përfundoi mes reflektimeve të bukura, ku fjala u kthye në urë midis autorit dhe lexuesve të rinj. Në atë hapësirë të mbushur me frymë letrare, çdo student u largua me ndjesinë se letërsia nuk është vetëm lexim, por një mënyrë për të parë më thellë jetën dhe vetveten.
