
Njësia e Zhvillimit të Kurrikulës dhe Cilësisë (NJZHKC) zhvilloi më 28 tetor 2025 një aktivitet orientues–informues me grupet akademike të punës të përfshira në hartimin e programeve të reja të studimit. Aktiviteti pati pjesëmarrje të gjerë të stafit akademik nga departamente të ndryshme, duke reflektuar bashkëpunimin dhe angazhimin institucional në këtë proces.
Gjatë sesionit, nën drejtimin e Dr. Blerta Turani, Drejtuese e NJZHKC, u prezantuan udhëzimet metodologjike, standardet që duhen respektuar dhe dokumentacioni që duhet plotësuar në fazën e parë të përgatitjes së dosjeve kurrikulare. U diskutuan gjithashtu ndryshimet më të fundit ligjore dhe nënligjore, përfshirë dy VKM-të që përditësojnë VKM nr. 41, datë 24.01.2018, si dhe pyetje praktike mbi strukturimin e dokumentacionit dhe harmonizimin e qasjeve midis programeve.
Aktiviteti përbën një hap të rëndësishëm në strategjinë e konsolidimit të cilësisë akademike dhe përafrimin e programeve të studimit me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke synuar forcimin e koherencës akademike dhe rritjen e konkurrueshmërisë institucionale.
NJZHKC falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre aktiv dhe rithekson angazhimin për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë akademike.
