
Në Universitetin BARLETI u zhvillua një aktivitet i veçantë akademik me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve nga Universiteti Teknik i Zyrihut (ETH Zurich) – një ndër katër shkollat më të mira në botë për Arkitekturë.
Në kuadër të katedrës NewRope në Departamentin e Arkitekturës dhe Dizajnit Urban, pjesëmarrësit nga ETH Zurich dhe Universiteti BARLETI zhvilluan një seminar në formatin “World Café”, të drejtuar nga Prof. Asoc. Dr. Saimir Kristo dhe Prof. Michiel van Iersel.
Diskutimet u përqendruan mbi të ardhmen e zhvillimit hapësinor dhe kulturës arkitektonike në Shqipëri, përmes reflektimit kolektiv mbi rolin e arkitekturës dhe urbanizmit në ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme.
Në vijim të seminarit, studentët dhe pedagogët do të përgatisin një “Letër për Kryeministrin e Shqipërisë”, si produkt i dialogut ndëruniversitar dhe ideve të shkëmbyera gjatë takimit.
Një bashkëpunim inspirues mes ETH Zurich dhe Barleti University, që afirmon fuqinë e arsimit dhe arkitekturës si ura bashkëpunimi mes vendeve dhe brezave.
