Universiteti Barleti shpallet fitues i tre projekteve të thirrjeve të AKKSHI për vitin 2024-2025: një projekt i kërkimit dhe zhvillimit (PKKZH) në fushën e Shkencave Sociale dhe Albanalogjike dhe dy projekte kërkimore-shkencore që do zhvillohen si partneritet me biznesin (PTI) në fushat prioritare: Sistemet dhe Teknologjitë e Informacionit dhe Bujqësisë, Ushqimit dhe Bioteknologjisë.
Projekti i fushës së Shkencave Sociale dhe Albanalogjike mban titullin “Aspiratat e prindërve lidhur me arsimin e mëtejshëm të fëmijëve të tyre dhe këshillimi i individualizuar i karrierës: një eksperiment natyror në terren në Shqipëri” dhe ka drejtues projekti Prof. As. Dr. Roland Çerepi. Në fushën e Sistemeve dhe Teknologjive të Informacionit është shpallur fitues projekti “Platforma e bashkëpunimit në kërkim për sipërmarrje dhe inovacion (PB-KPI)” me drejtues projekti Dr. Rezart Prifti.
Dhe në fushën e Bujqësisë, Ushqimit dhe Bioteknologjisë, Universiteti Barleti në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, dhe me drejtues projekti Dr. Angjelina Vuksani, do zhvillojë projektin “Zbatimi i teknologjive inovative të integruara të vjeljes dhe përpunimit të ullirit për përmirësimin e cilësisë së vajit”.