Instituti Shqiptar për Çështjet Publike (AIPA) në bashkëpunim me Departamentin e Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit të Universitetit Barleti (UniBa), si dhe me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), lançoi në datë 21 prill 2022 forumin “Studentët Flasin”. Ky takim i parë u zhvillua në ambjentet e Universitetit Barleti, me prezencën e të ftuarës së nderit, Avokaten e Popullit, znj. Erinda Ballanca.
Përgjatë fjalës së saj, znj. Ballanca shpjegoi në detaje për studentët pjesë e grupit rinor “Studentët Flasin” strukturën dhe funksionimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe punën e saj në krye të këtij Institucioni përgjatë këtyre 5 viteve. Ndër të tjera, znj. Ballanca theksoi dhe disa nga arritjet që Institucioni i Avokatit të Popullit ka patur nën drejtimin e saj.
Më pas, znj. Ballanca vijoi me një bashkëbisedim të hapur me studentët, të cilët i drejtuan një seri pyetjesh në lidhje me situata konkrete të shkeljeve ligjore apo shkelje të të drejtave të njeriut që kanë të bëjnë direkt me të drejtat e studentëve dhe të rinjve. Në përfundim, znj. Ballanca ndau një mesazh motivues për studentët pjesëmarrës, duke i inkurajuar ata që të bëhen zëri i vetes dhe i bashkëmoshatarëve të tyre, pasi vetëm duke e kërkuar vetë ndryshimin mundet që ta arrijnë atë. Ajo gjithashtu i inkurajoi studentët që të aplikojnë për zhvillimin e praktikave mësiomore, apo edhe për punësim me kohë të pjesshme, pranë institucioneve shtetërore dhe studiove private, se vetëm kështu do të bënin një lidhje të mirë të teorisë së fituar në bankat e shkollës me jetën reale dhe punën e përditshme.
"Studentët Flasin" është një forum me karakter social-edukativ, i cili ka si qëllim të kthehet në një medium ku proçesi i të folurit, diskutuarit, konsultuarit si dhe angazhimi i studentëve në një dialog të qëndrueshëm me përfaqësues të institucioneve publike në nivel lokal dhe qëndror do të jenë fokusi kryesor.
Gjithashtu, në qendër të zbatimit të platformës së forumit është bashkëbisedimi dhe ndarja e njohurive, eksperiencave dhe praktikave më të mira me përfaqësues të institucioneve publike në nivel qëndror dhe lokal, të organizatave të shoqërisë civile dhe jo vetëm, si dhe me të rinj dhe të reja të suksesshëm në profesionet e tyre, të cilët do të mund të frymëzojnë studentët me anë të rrëfimit të rrugëtimit të tyre drejt suksesit.