Tiranë, 24 mars 2022 - Instituti Shqiptar për Çështjet Publike (AIPA) dhe Universiteti Barleti (UniBa) vijojnë traditën e Platformës ARIO duke zhvilluar takime me Ambasadorë dhe Përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare në Shqipëri.
Në këtë kuadër, ditën e enjte, datë 24 mars 2021, në mjediset e Universitetit Barleti u zhvillua takimi i radhës, ku i ftuar nderi ishte Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Shkëlqësia e Tij Z. Fabrizio Bucci.
Në këtë takim të Platformës ARIO, Ambasadori Bucci diskutoi me studentët dhe stafin pedagogjik të Universitetit Barleti lidhur me marrëdhëniet Shqipëri - Itali, duke u fokusuar veçanërisht në diplomacinë ekonomike që shoqëron marrëdhënien bilaterale mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ndër të tjera, Ambasadori Buci u shpreh se Shqipëria ndër vite ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm, jo vetëm në aspektin infrastrukturor, por edhe legjislativ dhe politik, duke gjeneruar mundësi dhe potencial të vazhdueshëm për qytetarët e saj. Gjithashtu, përgjatë fjalës të tij, Z. Bucci u ndal dhe tek rëndësia e integrimit të vendit në familjen e madhe të Bashkimit Europian, si një meritë dhe formë shpërblimi për të gjithë punën e palodhur që Shqipëria ka bërë drejt të ardhmes së saj Europiane. Të rinjtë dhe potenciali i tyre për të sjellë energji dhe ndryshime positive në vend ishte një tjetër pikë ku u fokusua bashkëbisedmi përgjatë takimit.
Për çdo informacion shtesë, ju lutem kontaktoni Institutin Shqiptar për Çështje Publike (AIPA), në adresën e E-mail: [email protected].