Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA) dhe Universiteti Barleti (UniBa) vijojnë traditën e Platformës ARIO duke zhvilluar takime me Ambasadorë dhe Përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare në Shqipëri.
Në këtë kuadër, ditën e martë, datë 23 nëntor 2021, në mjediset e Universitetit Barleti u zhvillua takimi i radhës, ku i ftuar nderi ishte Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Shkëlqësia e Tij Z. Christian Steiner.
Në këtë takim të Platformës ARIO, Ambasadori Steiner diskutoi me studentët dhe stafin pedagogjik të Universitetit Barleti lidhur me Bashkimin Europian si dhe pozicionin dhe rolin që Austria ka në union. Gjithashtu, Z. Steiner foli edhe për mundësitë e studimit që Austria ofron për studentët dhe të rinjtë shqiptarë, si dhe inkurajoi këta të fundit që të shikojnë sa më shumë programet Erasmus.
Platforma ARIO synon që përmes diskutimit të drejtpërdrejtë dhe të hapur të krijojë një kuptim më të mirë të pritshmërive të të rinjve shqiptarë në lidhje me perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe jo vetëm. ARIO gjithashtu ka si synim që të kontribuojë në rritjen e pranueshmërisë dhe kuptimit të diversitetit kulturor dhe ekonomik që ekziston sot në një botë të globalizuar, madje edhe përtej zonës së Bashkimit Europian, pasi në ditët e sotme gjithçka është vetëm një klikim larg.
Nga ana tjetër, përmes Platformës ARIO komuniteti ndërkombëtar që jeton dhe punon në Shqipëri do të arrijë të kuptojë më mirë nevojat dhe aspiratat e rinisë shqiptare përmes diskutimeve, konsultimeve si dhe bashkëbisedimeve të drejtpërdrejta me ta.
Për çdo informacion shtesë, ju lutem kontaktoni Institutin Shqiptar për Çështje Publike (AIPA), në adresën e E-mail: [email protected] ose në numrin e telefonit +355 67 70 05 500.