Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA) dhe Universiteti Barleti (UniBa) vijojnë traditën e takimeve me Ambasadorë dhe Përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare në Shqipëri në kuadër të Platformës ARIO. Në datë 21 janar 2022, në mjediset e Universitetit Barleti u zhvillua takimi i radhës me të ftuarin e nderit Ambasadorin e Sllovenisë në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Z. Peter Japelj.
Ambasadori Japelj diskutoi me studentët dhe stafin pedagogjik të Universitetit Barleti lidhur me procesin dhe hapat që një shtet duhet të ndjekë përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu, përgjatë këtij takimi, Z. Japelj foli dhe për eksperiencen e tij përgjatë punës para dhe pas anëtarësimit të Sllovenisë në BE. Ai, ndër të tjera, ndau mezahe inkurajuese me të pranishmit në sallë lidhur me të ardhmen Europiane të Shqipërisë.
Platforma ARIO synon që përmes diskutimit të drejtpërdrejtë dhe të hapur të krijojë një kuptim më të mirë të pritshmërive të të rinjve shqiptarë në lidhje me perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe jo vetëm. ARIO gjithashtu ka si synim që të kontribuojë në rritjen e pranueshmërisë dhe kuptimit të diversitetit kulturor dhe ekonomik që ekziston sot në një botë të globalizuar, madje edhe përtej zonës së Bashkimit Europian, pasi në ditët e sotme gjithçka është vetëm një klikim larg.
Nga ana tjetër, përmes Platformës ARIO komuniteti ndërkombëtar që jeton dhe punon në Shqipëri do të arrijë të kuptojë më mirë nevojat dhe aspiratat e rinisë shqiptare përmes diskutimeve, konsultimeve si dhe bashkëbisedimeve të drejtpërdrejta me ta.
Për çdo informacion shtesë, ju lutem kontaktoni Institutin Shqiptar për Çështje Publike (AIPA), në adresën e E-mail: [email protected]