Pranë Universitetit Barleti u zhvillua një takim me studentë të universitetit, grupin e sipërmarrjes dhe pedagogë rreth ligjit të startup-eve dhe mënyrës së financimit dhe mbështetjes së tyre. E ftuar znj. Edona Bilali, Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, e cila prezantoi lehtësirat që ofron ligji si dhe u bë pjesë e diskutimit bashkë me studentët rreth pyetjeve dhe vlerësimeve të ardhura prej këtyre të fundit lidhur me atë se çfarë startup-et e krijuara prej tyre mund të përfitojnë. Në takim studentët ngritën pyetje rreth asaj se çfarë financohet, cilat janë drejtimet që mbështeten nga ky ligji, cila është masa në të cilën shteti mbështet sipërmarrjet rinore, si do të ndodhë procesi i ndërlidhjes së start-up-it dhe Lehtësuesit etj.
Zhvillimi i startup-ve përveç pjesës së krijimit të tyre dhe zhvillimit, kërkon hapësira dhe inkubatorë ku të zhvillohen dhe të jetësohen si biznese konkrete, ligji përcakton një periudhë 24 mujore pikërisht për inkubimin e ideve të bizneseve, në kuadër të kësaj, Ministrja vizitoi dhe hapësirat e Triple City, hapësirë e dedikuar startup-eve dhe të rinjëve për tu inkubuar dhe zhvilluar idetë e tyre për ti kthyer në biznese konkrete duke u bërë pjesë e ekosistemit.