Instituti Shqiptar për Çështje Publike - AIPA, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe familjarët e djalit 8 vjeçar, të cilit iu mor jeta padrejtësisht, i bën thirrje shtetit shqiptar dhe institucioneve publike që të ndërmarrin masa të menjëhershme që ngjarje të tilla kaq të rënda të mos
përsëritën më, dhe mbi të gjitha, të parandalohen.
Pavarësisht se Shqipëria ka ratifikuar një serë konventash dhe aktesh ndërkombëtare, si dhe ka ndërtuar një kuadër të mirë legjislativ për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, rastet e fundit të dhunës ekstreme ndaj fëmijëve kanë treguar se vendi ynë ka ende mangësi të konsiderueshme sidomos në aspektin e zbatimit të tyre në mënyrë rigoroze.
Konventa për të Drejtat e Fëmijëve (OKB), Konventa e Lanzarotës, Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës Nr.18/201, si dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikojnë se Shteti Shqiptar ka për detyrë të ofrojë mbrojtje të veçantë për fëmijët, nga të gjitha format e dhunës, keqtrajtimit, dhe neglizhimit.
Në këtë kuadër, nisur dhe nga ngjarja e fundit e cila tronditi thellë opinionin publik, Instituti Shqiptar për Çështje Publike - AIPA, i bën thirrje:
- Qeverisë Shqiptare që të angazhohet më shumë, më seriozisht dhe më profesionalisht në mbrojtjen e fëmijëve në çdo qytet e në çdo fshat të Shqipërisë; - Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të luajë një rol më të madh, më aktiv e më konkret në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri; - Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që të angazhohet seriozisht dhe praktikisht për krijimin e mekanizmave dhe politikave konkrete për mbrojtjen dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve në shkolla; - Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake në çdo Qark që të tregojnë më shumë seriozitet në marrjen dhe trajtimin e denoncimeve lidhur me personat problematikë, e sidomos me ata me precedent penal, për monitorimin e veprimtarisë së tyre me synim parandalimin e akteve kriminale apo keqbërëse; - Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institucioneve të Sherbimit Social që të marrin masa konkrete dhe efikase për trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor;
- Së fundmi, Gjykatave që të tregojnë përgjegjshmëri në dhënien e vendimeve për persona të cilët kanë precedent kriminal dhe paraqesin rrezik konstant për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve ku jetojnë.
Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni:
Instituti Shqiptar për Çështje Publike - AIPA, në adresën E-mail: [email protected]