Qeverisja e Mirë
Takimi i fundit me ekspertë të OSBE, Prezenca Shqipëri u mbajt ditën e martë, 27 maj 2014, në një nga sallat e kampusit 1 të Universitetit Barleti. Studentët e UB, të universiteteve të tjera dhe përfaqësues nga shoqëria civile morën pjesë gjallërisht në këtë bashkëbisedim të fundit të këtij cikli me përfaqësues të OSBE-së, që përbëheshin nga zëvendësshefi i Departamentit të Qeverisjes së mirë, dhe specialistët përkatës.
Drejtori i Institutit Shqiptar për Çështjet Publike, Dr. Dorian Jano mbajti fjalën e mirëseardhjes për të gjithë të pranishmit duke vlerësuar edhe këtë temë të fundit për nga rëndësia që ka në gëzimin e një jete më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe falënderuar pjesëmarrësit e referuesit. Prezantimin e tematikës e bëri zoti Paolo Fraccaro, zëvendësshefi i Departamentit të Qeverisjes së mirë, duke ua dhënë me radhë fjalën specialistëve.
Juliana Rexha, eksperte e OSBE-së për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore shpjegoi se çështjet e trafikimit janë globale. Shqipëria është një vend origjine, transit e tani së fundi edhe destinacioni.
Në bashkëpunim me qeverinë dhe shoqërinë civile, Prezenca e OSBE-së organizon veprimtari të ndryshme për të luftuar shfrytëzimin dhe trafikimin e personave në Shqipëri. Ajo mbështet shkëmbimin në shkallë kombëtare dhe rajonale të praktikave më të mira për mbrojtjen e viktimave dhe për parandalimin dhe ndjekjen penale të krimeve të trafikimit; i jep qeverisë asistencë teknike për përditësimin e strategjisë së saj për migracionin dhe planin e veprimit kundër trafikimit; dhe asiston në parandalimin e trafikimit të fëmijëve përmes nismave për bashkëpunim ndër-kufitar dhe rajonal.
Një punë e veçantë është kryer nga OSBE për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht fëmijëve romë, si dhe janë hartuar “Rekomandimet për Politikat dhe Legjislacionin drejt Zbatimit Efektiv të Parimit të Mos dënimit të Viktimave të Trafikimit”. Një numër botimesh për këtë problem iu dhuruan bibliotekës së UB.
Elton Qendro, ekspert i OSBE-së për qeverisjen mjedisore argumentoi se si Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u jep asistencë teknike autoriteteve kombëtare dhe vendore për të mbështetur pjesëmarrjen e publikut dhe rritjen e transparencës në procesin e vendimmarrjes për çështje mjedisore, me synim parandalimin e korrupsionit në këtë fushë. Gjithashtu, ajo punon me autoritetet dhe shoqërinë civile për zhvillimin e legjislacionit për mjedisin dhe të strategjive që përmbushin standardet ndërkombëtare, si dhe ndihmon qeverinë për hartimin e një strategjie mjedisore dhe të planit të veprimit për periudhën deri në vitin 2020.
Ermelinda Xhaja, eksperte e OSBE-së për luftën kundër korrupsionit shpjegoi se në botë ka modele të ndryshme lidhur me luftën kundër korrupsionit por secili vend ka specifikat e veta. Në Shqipëri është zgjedhur modeli i ngritjes së këtyre institucioneve që ndikojnë në luftën kundër korrupsionit:
• Koordinatori kombëtar kundër korrupsionit,
• Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive,
• Njësi të përbashkëta hetimore
• Institucione të tjera kundër korrupsionit
Në mbështetje të përpjekjeve të autoriteteve kundër korrupsionit, Prezenca e OSBE-së trajnon nëpunësit lidhur me çështje si konflikti i interesit dhe etika, dhe ndihmon lidhur me ndryshimet legjislative dhe rishikimet e strategjisë dhe të planit të veprimit kundër korrupsionit, të përgatitura nga qeveria.
Silvana Malaj, eksperte për Decentralizimin Administrativ dhe Reformën Territoriale prezantoi punën e kryer nga OSBE në këtë fushë dhe ndihmesën e dhënë autoriteteve shqiptare në realizimin e këtyre reformave. Ajo shpjegoi se Prezenca asiston ecurinë e Shqipërisë drejt decentralizimit dhe reformave territoriale dhe atyre pronësore.
Një vend të veçantë në fjalën e saj znj. Malaj i dha veprimtarisë së departamentit të tyre në bashkëpunimin me shoqatat e qeverisjes vendore, konkretisht me Shoqatën e Komunave të Shqipërisë. Rezultat i këtij bashkëpunimin është Plani strategjik ndërvendor i Luginës së Vjosës, rrethi i Përmetit, që përfshin 9 njësi vendore. Një sasi librash dhe CD-sh për këtë strategji iu dhurua bibliotekës së Universitetit Barleti.
Për të mbyllur këtë seminar dhe krejt ciklin prej 6 workshopesh me OSBE-në foli Dr. Dorian Jano, Drejtor Ekzekutiv i ISHCP, i cili vlerësoi lart kryerjen e këtij projekti, që megjithëse në mënyrë vullnetare prej të gjithë pjesëmarrësve dhe referuesve ka një rëndësi të posaçme për të gjithë. Ai falënderoi z. Paolo Rago, anëtar i bordit të UB për mbështetjen e dhënë në zhvillimin e këtij projekti dhe veçanërisht znj. Montserat Batllo për idenë dhe zhvillimin e saj në frymëzimin dhe realizimin e tërë veprimtarive të projektit.
Ndërsa zoti Robert Wilton, zëvendës ambasador i OSBE - Shqipëri, që i takoi ta hapë dhe të asistojë mbylljen e këtij cikli seminaresh pasi uroi studentët dhe tërë pjesëmarrësit iu drejtua:
Së pari, tani ju kuptoni më shumë si funksionon OSBE në Shqipëri. Ju po kuptoni jo vetëm çfarë po bëjmë ne por edhe si po e bëjmë. Krahas ekspertëve të huaj ne kemi ekspertë të fortë vendës.
Së dyti, të gjithë jini frymëzuar të bisedoni për çështje të rëndësishme të vendit tuaj si mbrojtja e mjedisit, lufta kundër korrupsionit, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, për shtetin e së drejtës dhe zbatimin e të drejtave e njeriut, për Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet e tjera demokratike.
Së treti, Ne jemi partnerë me Shqipërinë, jemi të ftuar nga Qeveria e Shqipërisë, ndaj jemi partnerë me shoqërinë civile dhe me çdo qytetar shqiptar.
Por ne i duam partnerët që të jenë kritikues për punën tonë pasi kështu do të punojmë më mirë dhe i uroi studentët të kenë suksese në shkollim dhe si qytetarë.
Në mbyllje të këtij seminari u ndanë Certifikatat e Pjesëmarrjes në 6 modulet për “Rolin dhe Kontributin e OSBE-së në Shqipëri”. Certifikatat iu dhanë studentëve nga dekania e fakultetit te Shkencave Sociale, dr. Saemira Pino, e cila vlerësoi aktivitetet e këtij projekti shumë interesant dhe falënderoi zotin Paolo Rago për mbështetjen dhe OSBE-në për gatishmërinë e treguar në realizimin e këtyre seminareve.
Më tej zoti Paolo Rago, anëtar i Bordit të UB, para se të dhuronte certifikatat u shpreh se edhe për mua kanë qenë shumë interesante fushat që mbulon OSBE që i kam mësuar në seminaret ku kam marrë pjesë. Njerëzit nuk i dinë të gjitha çfarë bëjnë organizatat e ndryshme ndaj kjo ishte një nismë e mirë që duhet vazhduar me aktivitete të tjera në të ardhmen për të zgjeruar horizontin tonë.
Zonja Montserat Batllo duke i përshëndetur studentët para se tu jepte certifikatat iu drejtua: ‘Ju kini një të ardhme të shkëlqyer. E shoh interesin në sytë tuaj kureshtarë. Urime dhe suksese të gjithëve!’
Një foto e përbashkët me certifikatat e pjesëmarrjes në 6 seminaret për rolin e OSBE-së në Shqipëri e mbylli aktivitetin interesant, informues, dhe të mirëpritur çdo fund muaji në këtë fillim viti 2014.
