Sot, më dt 25 prill, në kuadër të projektin “ Etika dhe Karriera - Të rinjtë kundër korrupsionit”, në kampusin I, Universiteti Barleti, priti maturantët e gjimnazit Profesional TIK nga Korca, të shoqëruar nga drejtoresha e kësaj shkolle dhe dy mësues.
Prezantimi filloi në orën 10.30 me një shpjegim të shkurtër të projektit, qëllimit, zbatimit dhe aktiviteteve të tij nga Fatjona Qurku.
Në pjesën e parë të trajnimit z. Ledjan Droboniku, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në UB dhe njëkohësisht avokat konstitucionalist, u shpjegoi nxënësve, për rreth 45 minuta, korrupsionin si fenomen, mënyrat e shfaqjes si dhe rolin aktiv që ata duhet të ndërmarrin kundër tij. Pjesë e prezantimit ishin edhe 4 kazuse të situatave korruptive të prezantuara nga Ledjani rreth të cilave maturantët dhanë idetë dhe mendimet e tyre.
Në pjesën e dytë znj. Fatjona Qurku, pedagoge e shkencave politike në UB dhe Anisa Brano, përgjegjëse e Klubeve Studentore, vijuan prezantimin me konceptin “karrierë”, si zhvillohet ajo që në bankat e shkollës së mesme dhe cilat janë opsionet për një karrierë të suksesshmë me ndihmën e testit të personalitetit dhe të fabulës së lepurit. Prezantimi zgjati rreth 30 minuta. Maturantët e kishin përzgjedhur tashmë degën e tyre duke qënë se janë në shkollë profesionale por treguan interes vecanërisht për testin e personalitetit duke u shprehur se edhe mund t’a rimendojnë përzgjedhjen e degës.
Pas prezantimit të gjithë projektit, për kënaqësinë e pedagogëve dhe pjesëmarrësve, një nga maturantët, këndoi disa këngë serenata shoqëruar edhe me kitarën e tij të marrë enkas për vizitën në Universitetin Barleti. Shoqëruar edhe me duartrokitjet shumë nga gjimnazistët bënë foto në ambjentet e universitetit.
