Sot, më dt 24 prill, në kuadër të projektin “ Etika dhe Karriera - Të rinjtë kundër korrupsionit”, në kampusin I, Universiteti Barleti, priti 50 maturantët e gjimnazit Leonik Tomeo - Durrës, të shoqëruar nga 2 mësuese.
Prezantimi filloi në orën 10.00 me një shpjegim të shkurtër të projektit, qëllimit, zbatimit dhe aktiviteteve të tij nga Anisa Brano.
Në pjesën e parë të trajnimit z. Ledjan Droboniku, konstitucionalist dhe njëkohësisht pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin Barleti, u shpjegoi nxënësve, për rreth 50 minuta, korrupsionin si fenomen, mënyrat e shfaqjes si dhe rolin aktiv që ata duhet të ndërmarrin kundër tij. Pjesë e prezantimit ishin edhe 4 kazuse të situatave korruptive të prezantuara nga Ledjani rreth të cilave maturantët dhanë idetë dhe mendimet e tyre. Prezantimi jo vetëm që u pëlqeu maturantëve por ata u shprehën të gatshëm të marrin pjesë në plotësimin e pyetësorëve dhe në konkursin e esesë, si pjesë shumë të rëndësishme të projektit.
Në pjesën e dytë znj. Anisa Brano, koordinatore e klubeve studentore në UB, vijoi prezantimin me konceptin “karrierë”, si zhvillohet ajo që në bankat e shkollës së mesme dhe cilat janë opsionet për një karrierë të suksesshmë me ndihmën e testit të personalitetit dhe të fabulës së lepurit. Prezantimi zgjati rreth 30 minuta.
