Tema e katërt në ciklin e leksioneve për rolin e OSBE-së në Shqipëri u zhvillua ditën e martë, më 18 mars, në kampusin 1 të Universitetit Barleti. Si përherë studentë të Universitetit Barleti, studentë nga universiteti publik e universitete të tjera private si dhe përfaqësues të OJF-ve morën pjesë në këtë takim të radhës me temë të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës.
Seminari u përshëndet fillimisht nga drejtori i Institutit Shqiptar për Çështjet Publike, Dr. Dorian Jano i cili më pas ia dha fjalën e mirëseardhjes Dr. Saemira Pino, dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale të UB dhe njëkohësisht koordinatore e universitetit në projektin evropian TEMPUS HEART. Duke folur për rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe nevojën e njohjes së tyre nga qytetarët në tërësi dhe studentët e pedagogët në veçanti, Dr. Pino shpjegoi punën që po kryhet në universitet prej tre vitesh për të njohur të drejtat e njeriut në veprimtaritë me studentët si dhe përpjekjet për t’i përfshirë ato në kurrikulat mësimore jo vetëm për studentët e drejtësisë por edhe studentë të degëve të tjera.
Më pas seminari vazhdoi me prezantimin e punës dhe rolin e OSBE-së në lidhje me të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës. Ligjëratat ishin përgatitur nga ekspertët e OSBE-së për të qenë interaktive. Zj. Fiorentina Azizi, Shefe e Departamentit të Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut e filloi seminarin me një përshkrim të përmbledhur të departamentit dhe rolin se si OSBE-ja duhet të sigurojmë që çdo e drejtë e njeriut të mbrohet. OSBE-ja ka ekspertizën për të ndihmuar në zbatimin e të drejtave të njeriut duke bërë një kombinim të mirë të përvojës së huaj dhe atë të vendit. OSBE ka një buxhet të caktuar për të punuar me projekte në këtë fushë. Më pas znj. Azizi vazhdoi me pyetje drejtuar studentëve dhe se çfarë ata kuptojnë me konceptin ‘shtet të së drejtës’? Studentët dhanë mendime të ndryshme sipas njohurive dhe perceptimit të tyre duke theksuar se zbatimi i të drejtave të njeriut bazohet në kushtetutën e vendit tonë. Disa studentë u ndalën në mënyrë të posaçme tek të drejtat e njeriut për kategori të veçanta si personat me aftësi të ndryshme, fëmijët, gratë, romët, si dhe ligjet specifike për të cilat kërkohen përmirësim bazuar edhe në konventat dhe aktet ndërkombëtare për këto grupe shoqërore.
Ligji është i barabartë për të gjithë, ai duhet zbatuar njëlloj për të gjithë nga policia, gjykata por edhe ne si qytetarë. Ne të gjithë duhet të respektohemi në gëzimin e të drejtave tona si individë, nënvizoi znj. Azizi dhe më pas u ndal në katër fushat e veprimtarisë së departamentit që drejton:
1. Përmirësimi i zbatimit të ligjit për të respektuar të drejtat e njeriut,
2. Reforma legjislative,
3. Reforma administrative, me qëllim vendosjen e marrëdhënieve institucionale midis qytetarëve dhe biznesit, qytetarëve dhe administratës publike,
4. Nxitja dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, grupet vulnerabil të fokusuara tek fëmijët, romët, të burgosurit etj.
Pyetjes së znj. Azizi se me cilat institucione bashkëpunojnë më ngushtë për të realizuar veprimtarinë e tyre në fushat e lartpërmendura, studentët iu përgjigjën duke përmendur Avokatin e Popullit, Qeverinë dhe Parlamentin, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Lektorja shpjegoi përse punohet me të gjithë këto institucione duke shtuar edhe gjykatën për të ndikuar në zbatimin e të drejtave të njeriut për të gjithë njëlloj.
“E drejta për një gjykim të drejtë” shprehet qartë te simboli i drejtësisë ‘Zonja me sy të mbyllur dhe me peshore në dorë’ vazhdoi bashkëbisedimin e nisur znj. Ama Kraja eksperte e OSBE në këtë departament. Ligji është i mirë po çfarë ndodh në praktikë, na duhet ta vëzhgojmë duke ndjekur seanca gjyqësore për të parë zbatimin e legjislacionit, shpjegon Ama natyrshëm. Seancat janë të hapura për publikun, por jo gjithmonë gjykatësit pranojnë të huaj në gjyqet e tyre. Ne si vëzhgues shohim se si respektohen të drejtat e palëve në gjykim. Për këtë përgatisim raporte duke dhënë edhe rekomandime e sugjerime për zbatimin e ligjit e parimet e gjykimit të drejtë që jep kushtetuta. Këto bëhen publike. Nëse pengohemi të kryejmë këtë punë ne e bëjmë problem në raportimet tona. Znj. Kraja dha një shembull konkret nga ndjekja e seancave për çështjet civile, ku në një raport të fundit konstatojnë se 47% e seancave nuk ishin produktive, pra herë mungonte njëra palë në gjykim, herë avokati e kështu me radhë. Kjo rrit koston e gjykatës dhe dëmton palët në zgjidhjen e së drejtës së tyre ndaj duhet vepruar për të rritur efektshmërinë në gjykim. Për këtë ndërmorëm një projekt në Gjykatën e Krujës që është një gjykatë e vogël me qëllim zhvillimin në kohë të gjyqeve pa lejuar shtyrjet e seancave.
Një student pyet në se është planifikuar vendosja e ndërmjetësuesit në gjykata meqë ka ngarkesë të madhe për përgatitjen e dosjeve çka mund të ndihmonte në shpejtimin e gjykimeve. Po bashkëpunimi me Dhomën e Avokatisë si qëndron? - pyet një student tjetër. Përgjigjet janë se baza ligjore për të dyja pyetjet ekziston gjithnjë çështja mbetet te zbatimi. Ne bashkëpunojmë me institucionet, përgjigjet ekspertja, jo vetëm raportojmë po dhe ndihmojmë me ekspertizën tonë në trajnimin e tyre dhe përmirësimin e zbatimit të ligjit në tërësi.
Një studente pasi falënderoi për shpjegimet e dhëna dhe për punën e kryer për përmirësimin e sistemit gjyqësor u shpreh se e çudit mospërputhja e asaj që mësojmë në shkollë dhe asaj që shohim kur ndjekim gjyqet. Etika e gjyqtarëve lë për të dëshiruar.
Në mungesë të kohës për të vazhduar me pyetje diskutime në fushën e gjyqësorit, ekspertja i lë fjalën koleges Iris Petrela për të folur lidhur me Gjykatën Administrative. “Përse u krijua?” pyeten studentët. Shumë studentë morën fjalën për të shpjeguar arsyet e krijimit të gjykatës administrative duke përmbledhur se kjo gjykatë është krijuar për të përshpejtuar proceset për çështjet administrative.
Përvoja e qytetarëve me administratën për të zgjidhur problemet e hasura në jetën e përditshme të zgjatura pafundësisht bëri të domosdoshme ngritjen e Gjykatës Administrative. Ajo u krijua si një garanci për palët në një proces gjyqësor. Janë krijuar 6 gjykata administrative të shkallës së parë. OSBE ofroi menjëherë trajnimin e gjyqtarëve të Gjykatës administrative. Faza ligjore në këtë proces ka përfunduar, pritet zbatimi konkret.
Ndërsa eksperti Julian Hodaj para se të shpjegonte bashkëpunimin e OSBE-së për çështjet e avokatisë iu drejtua studentëve me pyetjen: ‘Sa nga ju studentët e juridikut doni të bëheni avokatë?’ Asnjë. Raportimet e përmendura nga ekspertja Kraja na e krijuan idenë se duhet fuqizuar puna e avokatit, filloi shpjegimin z. Hodaj. Shpesh ata nuk kanë fuqi argumentuese në çështjet që mbrojnë në gjykatë. Ne si OSBE po përpiqemi të mbështesim një shkollë të avokatisë. Për të ndihmuar avokatët e rinj kemi planifikuar hartimin dhe shpërndarjen e një manuali për avokatët, si të përgatiten për një mbrojtje, si të drejtohen, etj... Ky manual do të jetë një udhëzues praktik që nga fillimi i marrëdhënieve me klientin, trajnime me ta me qëllim përmirësimin e performancës së tyre.
Një student thotë se avokatët nuk përgatiten, shpesh nuk e njohin dosjen kur vijnë në gjyq. Një tjetër pyet në se do të ketë specializim të avokatëve sipas fushave të caktuara, p.sh të drejtat e njeriut, etj.
Eksperti përgjigjet se avokatët i specializon tregu. Ky është një profesion i ri në Shqipëri dhe kërkon kohën e vet që të konsolidohet. Për këtë po punohet prej institucioneve përkatëse.
Ekspertja Silda Anagnosti, megjithëse e fundit, me rrjedhshmërinë e profesionalizmin e vet tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve me shpjegimet e përqendruara te përmirësimi i ligjit në shërbim të qytetarëve. Duke iu përgjigjur studentëve pranoi se shpesh bëhen thjesht përkthime të ligjeve nga vende të tjera që nuk kanë fare lidhje me Shqipërinë. Ligji ndjek disa etapa deri sa të vijë në parlament për tu miratuar. Kryesisht paraqitet nga qeveria por mund të vijë edhe si nismë e një deputeti apo grupeve të interesit duke mbledhur 20mijë firma. Çështja është se ligji nuk jepet për diskutim në fazën që është projekt. Ne në punën tonë ndihmëse propozojmë që procesi të kryhet sipas hapave pasi është më e lehtë të përmirësohet kur është në proces hartimi. Ai duhet diskutuar me grupet e interesit, me ekspertët përkatës dhe jo kur miratohet pasi mbetet një ligj i keq që nuk gjen zbatim. Raste të tilla ka. Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me ratifikimin e konventave për të drejtat e njeriut, znj. Anagnosti shpjegoi: Të drejtat e njeriut janë për të gjithë. Në momentin kur mendoni se diçka nuk shkon, janë shkelur të drejtat e njeriut. Njerëzit mendojnë se OSBE do të mbrojë të drejtat e secilit. Jo. OSBE mbron të drejtat e të gjithëve, të drejtat themelore për të gjithë. Individët duhet t’i drejtohen Avokatit të Popullit. Ju kujtohet rasti i romëve vitin e kaluar, OSBE kërkoi të merret vendim i menjëhershëm duke rakorduar me institucionet përkatëse, dhe Avokati i Popullit dha ndihmesën e vet konkrete në atë moment.
Një fushë tjetër që trajtoi znj. Anagnosti ishin të drejtat e të burgosurve për të cilat OSBE kërkon të zbatohen duke respektuar të drejtat themelore të njeriut, një ndër to ishte kërkesa që paraburgimi t’i kalonte Ministrisë së Drejtësisë që në vitin 2002. Duke shpjeguar bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë dha një rast interesant se si vite më parë kishte këmbëngulur me një nëpunës në ndërtimin e hapësirave të përshtatshme për të burgosurit, dritare më të mëdha sipas standardeve ndërkombëtare për ta, etj. Nuk ishte pranuar. Vite më vonë qëlloi që ai person të ishte vetë i burgosur dhe e kuptoi sa mirë do të ishte të kish zbatuar standardet për të drejtat e njeriut kur ishte nëpunës shteti. Pra, ne të gjithë i vuajmë vetë ose te të afërmit tanë shkeljet e të drejtave të njeriut, ndaj duhet të përpiqemi të bëhen ligje sa më të mira dhe të zbatohen.
Pyetjes së një studenti se ku duhet ta kryejnë dënimin persona me sëmundje mendore, iu përgjigj se prej dy vitesh shtyhet ngritja e një institucioni për ta. Ka një vend të izoluar për këtë grup shoqëror. Por është detyrë e Qeverisë të bëjë një projekt për një burg me kushte të përshtatshme për këta persona, për të moshuarit, etj., t’ia paraqesë për fonde BE-së dhe do tu jepen, çështja është te projekti për ta. Por është mirë të ketë institucione mbështetëse.
Shefja e Departamentit të Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut, znj. Fiorentina Azizi merr fjalën për të mbyllur këtë bashkëbisedim që mund të vazhdojë edhe më gjatë për nga kërshëria e pyetjeve dhe përgjigjeve të qarta e profesionale të ekspertëve të OSBE-së. Ajo thekson se OSBE gjatë tërë viteve të prezencës së saj në Shqipëri ka ndikuar në përmirësimin dhe zbatimin e ligjit, në fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Dr. Saemira Pino mbylli takimin duke falënderuar panelin për kompetencën e qartësinë në shpjegimin e problemeve të trajtuara duke u shprehur se ‘na zgjeruat dimensionin e OSBE-së në sytë tanë. Secili ka çfarë të bëjë në fushën e vet për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut’. Më pëlqen ta përfundoj me fjalët e Ambasadorit të OSBE-së zotit Raunig: “Unë kam një staf të shkëlqyer”.
Ju mirëpresim në temën e pestë “Bashkëpunimi i Sigurisë Evropiane” më datë 15 prill 2014
