Tema e tretë mbi veprimtarinë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, lidhur me institucionet demokratike në fushën e shoqërisë civile, parlamentit e zhvillimit të medias u trajtua më datë 25 shkurt, 2014 në një nga sallat A24 të Universitetit Barleti. Aktiviteti u ndoq me shume interes nga studentë të UB dhe universitete të tjera, si dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse. Miqtë dhe të pranishmit u përshëndetën nga drejtori i Institutit Shqiptar për Çështjet Publike, Dr. Dorian Jano, për tua lënë radhën lektoreve të OSBE-së.
Paneli këtë radhë përbëhej nga 5 zonja të kualifikuara, që me profesionalizëm paraqitën veprimtaritë e OSBE-së në fushat përkatëse duke ngjallur interesin dhe kënaqësinë e pjesëmarrësve në një bashkëbisedim të gjallë për rreth 2 orë. Pas prezantimit për veprimtaritë e departamentit të demokratizimit nga shefja e tij, Claudia Vollmer, iu dha mundësia të pranishmëve të shfaqnin pritshmëritë e tyre për këtë trajnim, çka theu akullin dhe i gjallëroi studentët për të marrë pjesë lirshëm në diskutim.
Në vijim Erjola Likaj paraqiti punën e kryer nga OSBE në mbështetje të institucioneve shtetërore për zbatimin e reformës zgjedhore në Shqipëri dhe shpjegoi qartë ndryshimin ndërmjet OSBE e ODIHR. Kjo u pasua nga një pyetje se përse raporti përfundimtar i zgjedhjeve paraqitet në emër të të dyja organizatave në një kohe kur janë organizma më vete. zj. Vollmer qartësoi se Prezenca e OSBE vepron si mbështetës duke krijuar terrenin që organizma si ODIHR të kryejnë lirshëm detyrën e tyre si vëzhgues e hartues të raportit për zhvillimin e zgjedhjeve.
Znj. Likaj tregoi për punën e kryer nga OSBE në trajnimin e stafit të Komisionit të Zgjedhjeve, trajnimit të komisionerëve të KZAZV-e e QV-e, asistencën në fushata e thirrje qytetarëve të zonave të ndryshme të vendit për të marrë pjesë lirisht në zgjedhje, si dhe trajnim të policisë së shtetit në periudha fushatash zgjedhore. Nga ana tjetër, OSBE punon me organizmat ndërkombëtare në vend për të mbështetur procesin zgjedhor e mundësuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëhet pjesë e një rrjeti organizmash homologë.
Prioritet i OSBE-së për vitin 2014, do të jetë krijimi i Shkollës së Komisionerit Zgjedhor. Synimi është që komisionerët të mos jenë vetëm nga partitë politike, por qytetarë të thjeshtë të cilët mund të kontribuojnë profesionalisht në mënyrë të paanshme në proces. Pyetjes nga audienca se sa të gatshëm janë partitë politike për trajnimin e komisionerëve në shkollën përkatëse, ajo u përgjigj se partitë politike jo vetëm janë të gatshme, por edhe zhvillojnë vetë trajnime me komisionerët në fushata zgjedhore.
Takimi vazhdoi më tej me trajtimin e bashkëpunimit të OSBE-së me shoqërinë civile, çka u prezantua nga shefja përkatëse e fushës, Znj. Alenka Verbole, duke e ilustruar me veprimtari të ndryshme të zhvilluara me grupe shoqërore të veçanta si gratë, të rinjtë, personat me aftësi të veçanta, etj. Gjatë fushatave zgjedhore janë zhvilluar trajnime të veçanta me të rinjtë për të rritur pjesëmarrjen dhe ndërgjegjësimin e tyre si qytetarë, duke eliminuar votën familjare, dhe me gratë për të marrë pjesë në zgjedhje personalisht si dhe me gratë e përfshira në listat elektorale.
Pyetjeve të të rinjve se si zbatohet kuota gjinore për zgjedhjet vendore, znj. Verbole iu përgjigj se për kryetarët e bashkive nuk ka ndonjë përcaktim në ligjin zgjedhor, varet nga partitë politike, ndërsa për këshilltarët është e detyrueshme kuota 30%. Shpesh partitë zgjedhin të paguajnë gjobën e nuk e realizojnë kuotën gjinore në listat zgjedhore.
Një ndër drejtimet e rëndësishme të punës së OSBE në kuadrin e demokratizimit të institucioneve shqiptare është bashkëpunimi me Parlamentin, për të cilën ligjëroi znj. Miranda Veliaj. Prej vitit 2002 zhvillohet një projekt për këtë qëllim, i financuar deri në vitin 2010 nga Mbretëria e Hollandës dhe më tej nga Qeveria Gjermane e Austriake. Si rezultat i këtij projekti janë fuqizuar kapacitetet e Parlamentit, është realizuar trajnimi i stafit dhe këmbimi i përvojës me homologët e vendeve të tjera, është krijuar një strukturë ndërpartiake ‘Aleanca e Grave Deputete’ dhe është promovuar bashkëpunimi rajonal mes parlamenteve. Krijimi i urave të bashkëpunimit me shoqërinë civile ka qenë një drejtim tjetër i projektit të OSBE-së që rezulton i përmirësuar, si bashkëpunimi me institucionet e pavarura, shoqërinë civile e zonat zgjedhore. Tjetër arritje në kuadrin e këtij projekti është dixhitalizimi i seancave të parlamentit. Në faqen e parlamentit ka një link për seancat, të cilat mund të ndiqen të plota, përfshirë procesverbalet e mbledhjeve brenda 72 orë pas mbarimit të tyre.
Një ndër pyetjet interesante drejtuar panelit ishte se nëse deputeti nuk përfaqëson zgjedhësit pasi është nga lista, atëherë si realizohet përcjellja e zërit e shqetësimeve të tyre në kuvend. Koordinatorja kombëtare e projektit, znj. Veliaj shpjegoi se po përpiqen të mundësojnë ngritjen e zyrave të deputetëve të qarkut pa dallim, pasi qytetarët nuk duan ngjyrat e partive por zgjidhjen e problemeve të tyre. Për t’a ilustruar tregoi se një deputete e qarkut të Fierit kishte organizuar para dy javësh një takim me qytetarët, ku kishte ftuar edhe kolegët e forcave të tjera politike për të biseduar së bashku për ecurinë e qytetit që përfaqësojnë.
Referimi i fundit i këtij takimi të bollshëm me informacion ishte puna me median, për të cilën referoi me qartësi e profesionalizëm znj. Elira Çanga. OSBE ka mbështetur me asistencë teknike së bashku me Delegacionin e BE dhe Këshillin e Evropës, hartimin e ligjit të medias që u miratua në mars 2013. Një drejtim i rëndësishëm ka qenë promovimi i standardeve etike dhe profesionale në gazetari. Për këtë qëllim janë mbështetur gazetarët shqiptarë dhe ekspertët e medias në aktivitete rajonale të fushës, janë organizuar tryeza të rrumbullakëta diskutimi duke rritur bashkëpunimin dhe veprimtaritë me shoqatat e gazetarëve dhe Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.
Projekt i rëndësishëm është reformimi i transmetuesit publik, për të cilën po mbështetet RTSH, nisur nga një konferencë në dhjetor 2013 me këtë qëllim, e duke vazhduar me një tryezë të rrumbullakët me Bordin e ri Drejtues të Transmetuesit Publik, e të ndjekur nga dixhitalizimi i tij, për të cilin do të ofrohet asistencë bazuar në përvojat më të mira, nga përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medies.
Megjithëse më gjatë se takimet e tjera, ky diskutim i hapur me një panel ekspertësh të fushave përkatëse ishte mbresëlënës e njëkohësisht frymëzues për auditorin e ri.
Takimet me përfaqësues të OSBE vazhdojnë, dhe i katërti do të zhvillohet më 18 mars me temë: “Të Drejtat e Njeriut dhe Shteti i së Drejtës”
