Barleti Volley ka përfunduar ndeshjen e javës së kampionatit, të shtunën, 22 shkurt 2014, ku vajzat universitare kanë dalë fituese kundër ekipit të Vllaznisë së Shkodrës. Kjo ndeshje është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, në qytetin e Shkodrës.
Vajzat e ekipit të Vllaznisë janë munduar të japin maksimumin, madje këtë ndeshje luanin me një lojtare të re, që kishte luajtur prej shumë vitesh në Ligën Italiane të Volejbollit.
Kjo ndeshje nuk ka qenë problem për ekipin Barletas, i cili ka dominuar gjatë gjithë ndeshjes.
Duhet të theksojmë që në këtë fazë janë fuqizuar të gjitha skuadrat dhe lufta për titullin kampion parashikohet të jetë më intensive. Në të tre setet, vajzat tona nuk toleruan dhe fituan setet me diferencë pikësh të madhe, duke mos i lënë hapësirë për të sulmuar vajzave Shkodrane.
Barleti Volley ka mbetur e pathyer edhe në këtë sfidë, duke treguar potencialin e saj si skuadër, e përbëre nga lojtare me eksperiencë dhe titullare të ekipit tonë kombëtar.
Elementi që dominoi më shumë ishte shërbimi, ku vajzat universitare shënuan shumë pike, duke mos e lënë kundërshtarin të organizohet në sulm. U dalluan për shërbime të forta, Shkurti, Braho, e Vokrri. Në bllok ka dalë fituese Tuci, Nezaj nga UB, dhe Gjelaj për Vllazninë.
Kështu, një tjetër sukses i vajzave tona, të cilat fundjavën e ardhshme do të luajnë kundër rivales së hershme, ekipit të Tiranës.
