Përgjatë një periudhe tremujore, duke filluar nga muaji Nëntor 2013, studentët e vitit të dytë të departamentit “Qeverisje, Politika dhe Komunikim”, si edhe studentët e vitit të tretë të Departamentit të “Sociologjisë, Psikologjisë dhe Edukimit”, nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetit Barleti, në bashkëpunim më studentët e Sociologjisë të programit Master, në Universitetin Publik të Tiranës, u përfshinë në një vëzhgim studimor për gjetjen dhe matjen e elementëve të biznesit social në shërbimin e transportit urban, brenda hapësirës urbane dhe periferisë së Tiranës.
Të gjitha linjat e shërbimit urban u bënë pjesë e këtij vëzhgimi studimor, në një periudhë prej të paktën 300 minutash, në segmente të ndryshëm kohor të ditës, javës dhe muajve, përgjatë të cilit vëzhguan, evidentuan dhe matën elementët e transportit urban, pothuajse në të gjitha linjat e këtij shërbimi. Teknologjitë smart mobile të komunikimit, u përdorën me efektivitet nga studentët në shërbim të vëzhgimit studimor për të evidentuar punimin.
Në përfundim të programit të studimit, studentëve e të dy universiteteve, prezantuan rezultatet e gjetjeve individuale në auditoret e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Në takimin prezantues, ishin të pranishëm edhe Dr. Zamira Çavo, Prof. Dr. Gëzim Hadaj dhe Prof. Zyhdi Dervishi, drejtues të departamenteve respektive nga UB dhe UT.
Pedagogu Reis Mulita, hartues dhe drejtues i vëzhgimit studimor, nën logon e UB, me një grup studentësh përfaqësues nga të dy universitetet, e prezantoi studimin dhe përgjithësimet e gjetjeve të tij në Televizionin Publik Shqiptar, në një transmetim të drejtpërdrejtë për rreth një orë.
Mesazhet shkencore mbi domosdoshmërinë e transportit të grupuar, nën këndvështrimin e modelit të zhvillimit të qëndrueshëm, treguesve ekonomikë, sociale dhe mjedisore, si edhe nevoja urgjente për përmirësimin e këtij shërbimi në hapësirën urbane të Tiranës, ishin nxitja nga ku mori udhë vëzhgimi studimor në fjalë. Domosdoshmëria e bashkëpunimit nëpërmjet nismave të përbashkëta me studentë të cikleve, degëve dhe institucioneve të ndryshme publike e private, ishte një tjetër mesazh që studimi kishte përcaktuar si qëllim të përcillte.
Vëzhgimi studimor ishte pjesë e programuar e veprimtarisë studimore e kërkimore të lëndës “Qeverisja, Shoqëria dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm”.
