Takimi i IV-tërt i Projektit ECOSMeG, me praninë e përfaqësuesve nga Universiteti i Bolonjës- Kampusi në Forli, Universiteti i Kalabrisë, Universiteti i Teramos, Universiteti i Zagrebit dhe Universiteti Barleti u zhvillua në Tiranë, Shqipëri.
Në cilësinë e partnerit në projektin ECOSMeG, Universiteti Barleti, organizoi dhe mikëpriti në ambientet e tij në datat 9-11 shkurt 2014 punimet e takimit në kuadër të këtij projekti.
Punimet filluam me trasmetimin televiziv të dokumentarit me titull "Rescue in Albania" më datë 9.02. 2014 dhe vijuan me diskutime rreth çështjes së shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri.
Të nesërmen, më datë 10.02.2014, zhvilloi punimet Konferenca ndërkombëtare me temë: "Rishikimi i memories Kolektive në Shqipëri". Konferenca e konceptuar me dy sesione, respektivisht: "Hebrenjtë në Shqipëri" dhe "Kujtime mbi Komunizmin" u pasurua nga prania e personaliteteve diplomatike dhe të Qeverisë Shqiptare, si dhe përfaqësues të botës akademike dhe të artit.
Rektori i Universitetit Barleti, Prof. Dr. Marenglen Spiro, në fjalën e tij të mirëseardhjes vlerëson për të pranishmit rëndësinë e këtij projekti, si element i përçimit të kujtesës kolektive ndër breza. Fjalën e merr në vijim, Z. Paolo Rago, PhD, anëtar i bordit të të besuarve të Universitetit Barleti, i cili i njeh të pranishmit me idenë, vlerat dhe arritjet e deritanishme të këtij projekti europian.
Nderojnë këtë seancë, Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri SH.T.Z. Ettore Sequi, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, SH.T.Z. Viorel Stanila dhe Ministrja e Kulturës, SH.T. Znj. Mirela Kumbaro.
Z. Sequi duke falenderuar organizatorët thekson rëndësinë e projektit në një kuadër makro, pikërisht atë të qasjes dhe sjelljes së Europës më pranë qytetarëve, duke ndihmuar në forcimin e kujtesës pasi vetëm kështu mund të sigurohej dhe garatohej vazhdimësia.
Z. Stanila, vijon me një përshkrim të shkurtër të kujtesës së komunizmit në Rumani nën një këndvështrim analitik dhe krahasues me Shqipërinë.
Ministrja e Kulturës, Znj. Kumbaro në fjalën e saj evidenton lidhjen e ngushtë që ekziston midis kujtesës kolektive, artit dhe kulturës. Në fjalën e saj ajo thekson se arti si i tërë, dhe kultura si pjesë e tij janë mjetet esenciale të cilat në bashkërendim me historinë arrijnë të përçojnë në mënyrën më elitare kujtesën kolektive ndër breza.
Punimet e kësaj pjese të parë përfundojnë me fjalën e Znj. Maura de Bernart, koordinatore e përgjithshme e Projektit ECOSMeG dhe njëherazi përfaqësuese e Universitetit të Bolonjës, Kampusi në Forli, ku krahas të tjerave si dhe duke falenderuar të gjithë parafolësit për ndërhyrjet e tyre interesante, Znj. De Bernart thekson rëndësinë e vazhdimësisë së këtij projekti.
Në vijim të pranishmit ftohen të shikojnë ekspozitën ndërkombëtare fotografike me titull "Vedere L’Altro, Vedere la Shoah", të përgatitur nga Prof. Paolo Cohen, Alessandra Carelli, dhe Cesira Bellucci, nga Universiteti i Kalabrisë në Itali.
Pas një diskutimi të gjerë artistik mbi forcën që secili nga imazhet përcillte në ndihmesë të kujtesës kolektive, fillon punimet sesioni i parë i Konferencës me titull "Hebrenjtë në Shqipëri" nën moderimin e Dr. Dorian Jano, Drejtor i Institutit Shqiptar të Çështjeve Publike, pranë Universitetit Barleti.
Nderuan me pjesmarrjen e tyre në këtë sesion, Zëvendës Ambasadori i Izraelit në vendin tonë, Z. Avrham Lev-Louis, Znj. Nevila Nika, Historiane, Z. Tommaso dell`Era nga Universiteti i Tuscia dhe Z. Artan R. Hoxha nga Universiteti i Tiranës.
Z. Lev-Louis përqëndrohet në përçimin e falenderimeve të Ambasadës se Izraelit dhe mbështetjen e kësaj të fundit për aktivitete të tilla.
Znj. Nika në cilësinë e historianes u përcjell të pranishmëve qëndrimin zyrtar dhe atë qytetar ndaj hebrenjve nën dritën e dokumentave të ndryshëm arkivorë.
Vijojnë më pas diskutimet akademike të Z. dell`Era, mbi kampin e përqëndrimit të Kavajës, sistemin represiv italian dhe politikat e tij ndaj hebrenjve gjatë periudhës së pushtimit (1939-1943); dhe të Z. Hoxha, i cili e përqëndron fjalën e tij mbi raportin që ekziston midis politikës dhe kujtesës si dhe ndalet specifikisht në mbrojtjen ndaj hebrenjve në Shqipëri në një këndvështrim krahasues.
Konkluzionet dhe sugjerimet e kësaj seance jepen nga Prof Fausta Gallo, Universiteti i Teramos, Itali.
Në mbasdite vijojnë punimet e seancës së dytë të konferencës, nën moderimin e Pedagoges Eurona Leka, Koordinatore e Projektit ECOMeG për Universitetin Barleti. Seanca me titull: "Memorie mbi Komunizmin", si një periudhë me një peshë dhe impakt të fuqishëm për vendin tonë pasurohet nga fjala e dy profesoreshave të nderuara: Dr. Zamira Çavo, Shefe e Departamentit të Qeverisjes, Politikës dhe Komunikimit pranë Universitetit Barleti dhe Prof. Ana Lalaj, Historiane.
Dr. Çavo me temën e saj me titull: "Rikthimi i komunizmit: frikë apo nostalgji", sjell për të pranishmit një këndvështrim analitiko-akademik, nga ana tjetër Prof. Lalaj solli të gjallë një periudhë jo fort të njohur nga të gjithë ne, atë të shkrirjes së akujve dhe përpjekjeve për një destabilizim të rremë në Tiranën e vitit 1956.
Një vlerë e shtuar e kësaj konferencë ishin dëshmitë e “gjalla” dhe jetësore të dëshmitarëve si: z. Fatmir Veseli, z. Astrit Beci, z. Arshin Xhezo, znj. Astro Dollma Sina dhe znj. Natasha Korn.
Punimet e Konferencës përmbyllen me një ekspozitë fotografike me titull: “Komunizmi në Shqipëri: i parë nga Brenda dhe Jashtë: një kënvështrim artistik” e kuruar me mjeshtëri nga z. Arben Theodhosi, piktor shqiptar dhe z. Antonio Fantasia, piktor italian.
Takimi i IV-tërt i projektit ECOSMeG, vijoi ditën e martë, më datë 10 shkurt 2014, me mbledhjen e grupit të punës ECOSMeG nën drejtimin e Znj. Maura de Bernart. Gjatë këtij diskutimi secili nga Universitetet partnere evidentoi arritjet dhe hapat pasues të projektit. U caktua data e takimit të rradhës, i cili do të mbahet në Teramo në periudhën 5-7 mars 2014 si dhe takimi përfundimtar i projektit që do të mbahet në Romë më 31 maj 2014.
Punimet e takimit të IV-tërt ECOSMeG përfundojnë me një vizitë panoramike të Institucioneve kryesore të Tiranës, si dhe monumentit artistik të kujtesës kolektive ‘Post-Bllok’.
