Universiteti Barleti, u prezantua në rrjetin më të madh Europian të universiteteve dhe institucioneve studimore e kërkimore, të cilat kanë mision nxitjen, mbështetjen, përhapjen dhe aplikimin e innovacionit në shoqëri dhe natyrë.
Në Finlandë, në Universitetin Lappeeranta, u zhvillua takimi i parë i punës i këtij rrjeti, në kuadër të projektit “European Academic Network for Open Innovation “ i programit Erasmus Mundus, Lifelong Learning Education 2013.
Gjatë takimit të 52 partnerëve të rrjetit, Dr. Reis Mulita, Koordinator i projektit për UB, prezantoi veprimtarinë e deritanishme, strategjinë, objektivat dhe programet studimore e kërkimore në përgjithësi dhe për inovacionin në veçanti të UB-së. Po kështu, z. Mulita njohu partnerët me strukturat akademike , institutet dhe qendrat kërkimore , nëpërmjet të cilave UB do të realizojë edukimin dhe kërkimin gjatë projektit “Open Innovation”, në nivel kombëtar dhe rajonal.
Në takimin e parë prezantues, pjesëmarrësit e projektit u ndanë në 4 grupe pune, të cilët do të përqendrojnë punën në tematikat e lidhura me: Identifikimin e nevojave të industrisë; OI Education në Evropë; Shkëmbimi i metodologjisë dhe praktikave më të mira për OI; Zhvillimi dhe krahasimi i edukimit dhe kurrikulave për OI; Konsolidimi i rrjetit të kurikulave të përbashkëta për OI-education and Training në Evropë. Universiteti Barleti, së bashku më një grup partnerësh me nivele dhe standarde të ndryshme të veprimtarisë akademike e kërkimore, do të përqendrojë kontributin në konsolidimin e rrjetit të kurikulave të përbashkëta për OI-education and training në Europë, në bazë të një programi të detajuar dhe konkret pune.
Pjesëmarrja në këtë rrjet vlerësohet si një mundësi bashkëpunimi për krijimin e partneriteteve të tjera në nivele dhe fusha të ndryshme, të cilat do të konsiderohen gjatë vazhdimësisë tre vjeçare të projektit.
