Leksioni i hapur “Shkenca e Sportit, Shëndeti dhe Mirëqenia”, i mbajtur në dt. 19 Dhjetor 2013 në Universitetin “Barleti “, u përqëndrua në mekanizmin nëpërmjet të cilit stërvitja e trupit mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve degjenerative kronike, të tilla si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe dhjamosja e tepërt.
Interesant për auditorin paraqiti termi “Shkenca e Sportit” - në të cilën ndërthuren disa shkenca të tjera, si ato humane, sociale, psikologjia, fiziologjia ushtrimore, biokimia, pedagogjia, biomekanika, etj. është pikërisht kjo shkencë ajo që shpjegon rezultatet e jashtëzakonshme të arritura sot në sport.
Shkenca e sportit nuk mjaftohet vetëm me rezultatet e nivelit të lartë. Vitet e fundit ajo është vënë në shërbim të miliona njerëzve që interesohen të mbajnë një trup në formë. Leksioni gjithashtu shtjelloi ngarkesat optimale të stërvitjes për individët që praktikojnë sportin për shëndet.
Në leksion u trajtuan edhe çështje të tilla si: pakësimi i dhjamrave të tepërt dhe formimi i një fiziku në formë e të shëndetshëm. Këto çështjet po gjejnë zbatim gjithmonë e më tepër në realitetin shqiptar, ku dihet se gjatë 2 dekadave të fundit është vënë re një modifikim negativ i stilit të jetesës, e për rrjedhojë janë shtuar obeziteti dhe sëmundjet që shoqërojnë atë, të cilat kanë lidhje me jetën sedentare.
