Kanë përfunduar këtë të shtunë ndeshjet e javës së dytë të kampionatit në volejboll për femra.
Sërisht universitaret e Barletit kanë fituar me rezultatin 3-0 kundër Vllaznise, në grupin A1.
Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit Asllan Rusi. Ky takim nuk kishte emocionet e ndeshjes së kaluar me Partizanin, madje ngjante si një seancë e përditshme stërvitore.
Takimi u dominua që në pikët e para nga Barletaset, të drejtuara nga trajneri Hasan Gurabardhi.
Seti i dytë pati disa luhatje të vogla nga ana e ekipit të Vllaznisë, por pa problem për t’u menaxhuar nga ekipi UB-së.
Kombinimet e pasueses me lojtaret anësore Braho dhe Bici, gjuajtjet e shkurtra të Tucit dhe Nezës rezultojnë të pakapshme nga blloku dhe prapavija e Vllaznisë.
Risi e kësaj jave ishte aktivizimi i lojtareve të reja, Rovena Shehu dhe Erda Uka. Trajneri Gurabardhi është shprehur i kënaqur, ndonëse skuadra ka edhe më shumë potenciale. Me ekipe të këtij niveli do t’i jepet mundësia e aktivizimit të të gjitha lojtareve.
Në këtë mënyrë mbyllet ndeshja me sukses, duke marrë edhe 3 pikë të vlefshme të sezonit.
Këtë javë ekipi do të luajë me Tiranën, rivalen e hershme të UB-së. Kjo do të jetë ndeshja derbi e kësaj jave.
