Instituti Shqiptar për Çështjet Publike (AIPA) në bashkëpunim me Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë organizoi në data 17-18 tetor seminarin dy-ditor mbi “Aftësitë e Komunikimit dhe Angazhimit me Audiencën”. Seminari u drejtua nga Christina Standerfer, Profesore e Asociuar në Komunikim pranë “Shkollës Klinton për Shërbime Publike”, Universiteti i Arkansas-it. Në seminar morën pjesë përfaqësues të organizatave jo-fitim prurëse të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Qëllimi i këtij seminari ishte zhvillimi i aftësive prezantuese dhe të komunikimit.
Seminari ishte konceptuar në mënyrën ndërvepruese. Përveç leksioneve dhe shembujve konkretë të përgatitura nga Dr. Standerfer, pjesëmarrësit patën mundësi të punonin në grupe të vogla në përgatitjen dhe paraqitjen e prezantimeve të fuqishme dhe të pëlqyeshme për audiencën. Nëpërmjet këtij seminari u synua rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile në lidhje me aftësitë e tyre komunikuese dhe prezantuese.
Çështjet të cilat u trajtuan kishin të bënin me të kuptuarit e audiencës, organizimin e ideve, krijimin e mesazheve të fuqishme dhe të pëlqyeshme, të paturit e një prezence dinjitoze dhe format bazë të paraqitjes në publik, si dhe elementët kryesorë në përgjigjen e pyetjeve në mënyrë efektive. Në përfundim të trajnimit në prezencë edhe të znj. Valerie O’Brien, shefe e Zyrë për Marrëdhëniet me Publikun të Ambasadës së ShBA-ve në Tiranë, u shpërndanë Çertifikatat e trajnimit për të gjithë pjesëmarrësit të cilët ndoqën plotësisht seminarin.
